Reagon Ministria: Ky akt padyshim kriminal synon të provokojë ndjeshmërinë e besimtarëve

Reagon Ministria: Ky akt padyshim kriminal synon të provokojë ndjeshmërinë e besimtarëve

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike e ka dënuar aktin e dëmtimit dhe djegies së xhamisë në fshatin Vërboc të Drenasit.

“MPBAP e dënon fuqishëm aktin vandal të dëmtimit dhe djegies së xhamisë në fshatin Vërboc të Drenasit. Ky akt padyshim kriminal synon të provokojë ndjeshmërinë e besimtarëve, e kjo është e dënueshme në çdo moment, jo vetëm në kohë delikate si kriza shëndetësore që po kalojmë”, thuhet në komunikatën e MPBAP.

Tutje në komunikatë thuhet se dëmtimin e objekteve të kultit fetar, të cilitdo besimi, MPBAP-ja, e vlerëson gjithnjë si veprime dashakeqe, të cilat  dëmtojnë rëndë tolerancën fetare dhe bashkëjetesën në vend.

Me këtë rast, u.d. ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla “ka kërkuar angazhim maksimal deri në gjetjen e personave përgjegjës që e kanë kryer këtë vepër, të cilët duhet të dalin para drejtësisë dhe në këtë mënyrë të bëhet zbardhja sa më e shpejtë e këtij rasti”.

Sveçla “falënderoi banorët e fshatit dhe përgjithësisht besimtarët e më gjerësisht qytetarët që janë treguar të përgjegjshëm dhe nuk kanë rënë pre e provokimeve që mund të jenë orkestruar prej qarqeve që kanë interesa në destabilizim e dobësim të shtetësisë së Kosovës”./21Media