Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Kosovës e ka cilësuar si të papranueshme pas raportimeve për ikjen nga Serbia të Rajko Kozllina, i cili është dënuar për krime lufte.

Kozllina në prill të vitit 2019, nga Gjykata e lartë në Beograd është dënuar me 15 vjet burg për shkak të vrasjes së 15 civilëve shqiptarë dhe plagosjes së dy të tjerëve në fshatin Tërnje të Suharekës. Ai është fajësuar se ka urdhëruar një grup ushtarësh dhe bashkë me ta e ka kryer këtë krim.

Pasi që nuk është paraqitur për mbajtjen e dënimit me burg, Gjykata e parë Themelore në Beograd, më 9 shtator të këtij viti ka shpallur urdhër-arrest, ndërkaq Rrjeti për Hulumtim i Ballkanit (BIRN) ka publikuar lajmin se Kozllina ka ikur nga vendi.

“Ky akt është i papranueshëm dhe edhe njëherë e shpërfaqë mungesën e seriozitetit të Serbisë për t’u marrë me të kaluarën e rëndë kriminale, për të pranuar përgjegjësinë dhe për t’i dënuar kryerësit e gjenocidit në Kosovë”, është bërë e ditur në reagimin e MPJD-së.

MPJD ka kërkuar nga fktori ndërkombëtar që të vendoset drejtësi ndërkombëtare për krimet e “kryera nga Serbia gjatë luftës së fundit në Kosovë”.

“Gjithashtu kërkojmë që t’i bëhet trysni Serbisë t’i hapë arkivat e ushtrisë dhe policisë së saj, në mënyrë që të bëhet zbardhja e plotë e fatit të të pagjeturve”, ka shtuar MPJD.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kosova dhe Serbia nuk mund të normalizojnë raportet nëse, siç ka cekur kjo ministri, Serbia vazhdon të fshehë “krimet dhe kriminelët të mos kërkoj falje dhe të mos ndihet përgjegjëse për gjenocidin e shkaktuar në Kosovë”.

Bekim Gashi, i cili në masakrën në fshatin Tërnje të Suharekës ka humbur 22 anëtarë të familjes ka thënë për REL se nuk është befasuar nga lajmi për ikjen nga dënimi të Rajko Kozllinës.

“Nuk befasohem në rast se Kozllina ka ikur dhe që nuk do ta vuajë dënimin. Ato gjykata janë formale, sa për sy të Evropës dhe botës, që të thonë se kinse po i gjykojmë ata që kanë bërë krime. E ato krime i ka kryer në mënyrë të organizuar shteti, i ka vrarë dhe më pas i ka zhdukur viktimat. Ja, tash e 21 vjet nuk po mundemi t’i gjejmë”, ka thënë Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Në masakrën në Tërnje, Gashi ka humbur nënën dhe katër motrat, si dhe 17 anëtarë të tjerë të familjes nga ana e axhës së tij. Në ditën kur ka ndodhur krimi, më 25 mars 1999, ai kishte arritur që të fshehejnë nënkulmin e shtëpisë, ku kishte kaluar 2 ditë. Ai kishte parë se si po ia vrisnin familjen./REL