Ministria demanton Pacollin

Ministria demanton Pacollin

Lidhur me lejen e fluturimit për Behgjet Pacollin, ka reaguar edhe shefi i kabinetit të ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Kreshnik Ahmeti.

Ai ka thënë se është e pavërtetë që Pacollit i është anuluar leja për aterim në Aeroportin e Prishtinës.

“Është e pavërtetë që deputetit të Kuvendit të Kosovës i është anuluar leja për aterim në Aeroportin e Prishtinës. Por, është e pamundur që Qeveria aktuale të bëj diskriminim të shtetasve të saj. Megjithëse sistemi aktual ekonomik e pamundëson që të jemi të barabartë, prandaj dikush vjen me aeroplan privat e dikush me autobus, para ligjit të gjithë jemi të njëjtë dhe para se gjithash në kohë pandemie shëndeti publik ka rëndësi mbi të gjitha dhe rregullat e vendimet e organeve përkatëse shëndetësore duhet të respektohen. Pra, leje për aterim ka. Por, vullnet për trajtim të veçantë jo”, shkruan ai.

Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nuk ka marrë kërkesë zyrtare rreth çështjes së kthimit në Kosovë të kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.

Ndërkohë, kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli është lajmëruar sërish në “Facebook” në lidhje me lejen për të cilën thuhet se i është anuluar për aterrimin e aeroplanit të tij në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.

Ai ka thënë se aeroplani i tij ka pasur leje për aterrim konform rregullave të BE-së dhe IATA-s, por që ishte anuluar.

Pacolli ka publikuar edhe përgjigjen që kishte marrë nga Nexhat Bala prej Departamentit të Aviacionit Civil të Kosovës, ku ky i fundit kërkon që të bëjë serish kërkesë zyrtare për të marrë leje./21Media