Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, zhvilloi sot një bisedë telefonike me Ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha.

Haradinaj-Stublla me këtë rast u interesua për përmbajtjen e një dokumenti të Ministrisë së Shëndetësisë të Malit të Zi, në të cilin Kosova shfaqej me fusnotë.

“Sipas informatave zyrtare që ka pranuar MPJD, përmes kanaleve diplomatike, fusnota ishte vendosur aty jo qëllimisht, si një gabim i cili u përmirësua shpejtë“, thuhet në komunikatën e MPJD.

Në bisedë me Ministren Haradinaj-Stublla, Ambasadori Dinosha tha se është njoftuar zyrtarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi se bëhet fjalë për gabim teknik.

“MPJ e Malit të Zi përmes një telefonate zyrtare më njoftuan se bëhet fjalë për një gabim teknik i cili u përmirësua dhe për të cilin është njoftuar tanimë edhe opinioni publik”, u shpreh Ambasadori Dinosha.

Shefja e diplomacisë kosovare, nga ana e saj, shpreh përkushtimin e Kosovës, përfshirë të Kryeministrit, Avdullah Hoti dhe U.D Presidentes, Vjosa Osmani-Sadriu, për intensifikim të bashkëpunimit me Malin e Zi, si një ndër vendet që ka njohur me kohë realitetin dhe shtetin e Kosovës./21Media