MPJD njoftoi se 600 kërkesa janë urgjente

MPJD njoftoi se 600 kërkesa janë urgjente

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit kanë përfunduar organizimin e dy fluturimeve të radhës për kthimin e një numri të qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë mbetur jashtë vendit për shkak të masave kufizuese të ndërmarra në gjithë botën për parandalimin e pandemisë së COVID-19.

MPJD njoftoi sonte se më 20 prill do të organizohet fluturimi i parë nga Zvicra, ndërsa me 21 prill do të organizohet fluturimi nga Turqia.

“Tashmë është plotësuar numri i qytetarëve të lejuar për këto fluturime, duke u bazuar në kufizimet e caktuara nga MSh, kufizime këto që varen nga kapacitetet karantinuese dhe të kontrolleve mjekësore në Republikën e Kosovës. Në këto fluturime janë përfshirë qytetarë të Republikës sonë të cilët kanë emergjenca dhe një pjesë e madhe e tyre janë pacientë të cilët janë mjekuar jashtë vendit, apo persona që kanë mbetur pa financa dhe pa strehim gjatë kësaj periudhe të pandemisë.”, bëri të ditur ministria përmes komunikatës.

MPJD shtoi se aktualisht kanë rreth 2,400 kërkesa për t’u kthyer në Kosovë, 600 nga të cilat janë raste emergjente.

“Ne në vazhdimësi jemi duke mbledhur informacion edhe për kërkesat e reja dhe këto informacione po i përcjellim tek MSh. Në momentin e parë kur të lirohen kapacitete të karantinimit, pas njoftimit nga MSh ne nëpërmjet Ambasadave tona dhe në koordinim me MIA do të organizojmë fluturime të reja edhe nga vendet e tjera.”, bëri të ditur më tutje MPJD./21Media