Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, sot me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare Kundër Punës së Fëmijëve, zhvilloi takimin e rregullt vjetor të Komitetit të Kosovës për Parandalimin dhe Eliminimin e Punëve të Rënda të Fëmijëve.

Me këtë rast, ministri Reçica foli për angazhimin dhe përpjekjet që janë bërë edhe në mandatin e kaluar në funksion të mbrojtjes së fëmijëve nga punët e rënda, megjithëse për të arritur synimet e tyre, tha se i mbetet ende shumë punë për të bërë.

MPMS nëpërmjet një komunikate njoftoi se së shpejti pritet të nxjerrë aktet nënligjore që parashihen edhe me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve, ligj ky i miratuar në mandatin e kaluar, me ç’rast do të ketë më shumë qartësi në aspektin ligjor për trajtimin e kësaj dukurie të dëmshme për fëmijët.

Gjithashtu, ministri Reçica theksoi se angazhimi ynë që të kemi sa më pak raste të përfshirjes së fëmijëve që merren me punë të rënda, nënkupton angazhim për fëmijë të shëndetshëm, të zhvilluar dhe të edukuar mirë.