Ministria e Shëndetësisë ka rekomanduar të mos testohen më rastet e kontaktit të të prekurve me COVID-19 nëse nuk kanë simptoma.

MSH bëri të ditur se  me rritjen e numrit të rasteve të detektuara në dy javët e fundit si dhe largimin e kufizimeve në lëvizje të qytetarëve të Kosovës, kapacitetet laboratorike janë të kufizuara për testim të çdo kontakti eventual të rasteve të konfirmuara me COVID-19.

Bazuar në rekomandimet e OBSH-së dhe ECDC-së, konform situatës epidemiologjike aktuale dhe kapaciteteve laboratorike të kufizuara, në vijim janë përcaktuar kriteret për testim në COVID-19.  Testimi laboratorik për COVID-19 duhet të bëhet sipas kritereve: 1; Pacientët me infeksion akut të traktit respirator (fillimi i papritur i sëmundjes me të paktën njërin këto shenja e simptoma: kollë, ethe, frymëzënie) ose shfaqje e papritur e anosmisë (humbje e shqisës së nuhatjes), ageusia (shijes) ose imazheri radiologjike që tregojnë lezione kompatibile me COVID-19 dhe 2; Histori udhëtimi ose vendbanimi në një vend/zonë, ku ka pasur vatra të rasteve ose përhapje në komunitet gjatë 14 ditëve para fillimit të simptomave”, thuhet në rekomandimin e MSH-së./21Media