Muja: Ndihem i privilegjuar të jem në kombëtare, ndaj Izraelit e Andorrës për rezultate pozitive

Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar sot seancën e fundit stërvitore para nisjes drejt Izraelit, ku të shtunën do ta zhvillojë ndeshjen e parë në kuadër të kualifikimeve drejt Kampionatit Evropian Euro 2024.

E pjesë e stërvitjes ishte edhe Arbnor Muja, për të cilin kjo ishte hera e parë që grumbullohet me “Dardanët”.

Muja tregoi ndjehet shumë i privilegjuar të jetë pjesë e kombëtares kosovare, ndërsa u shpreh optimistë për rezultate pozitive ndaj Izraelit dhe Andorrës.

“Është hera e parë që jam me ekipin kombëtar. Është një ndjenjë shumë e mirë të jem pranë këtyre lojtarëve, pranë kombëtares dhe vendit që jam rritur. Ndihem shumë i privilegjuar të jem në këtë mes. Është një ndjenjë të cilën kam pritur ta përjetoj edhe më herët mirëpo s’ka qenë koha e duhur, por tash mendoj se është diçka fenomenale”, tha Muja.

“Kemi një grup shumë të mirë lojtarësh dhe të dëshmuar edhe në ekipet e tyre, derisa bashkë me stafin e trajnerëve po përgatitemi shumë mirë për ndeshjet kundër Izraelit dhe Andorrës. Besoj në këtë grup dhe në rezultate pozitive në të dyja ndeshjet”, shtoi më tej Muja.

Arbnor Muja po kalon një sezon fantastik në Belgjikë me skuadrën e Royal Antwerp, ku në 26 paraqitje ka arritur të shënojë pesë gola dhe të regjistrojë pesë asistime.

Back to top button