Sot është afati i fundit që partitë politike të deklarojnë koalicionet e tyre parazgjedhore. Deri në ora 18:00 të gjitha partitë politike kanë të drejtë të deklarojnë koalicionet eventuale në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Partitë më të mëdha nuk kanë shprehur gatishmërinë për koalicione, megjithatë, së fundmi është përfolur për një koalicion të LDK-së me AKR-në e Behgjet Pacollit si dhe të PDK-së me Nismën e Fatmir Limajt.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ditë më parë tha se ata janë të interesuar që kandidatët e AKR-së të përfshihen në listën e saj dhe të garojnë nën logon e partisë së Mustafës, por nuk është bërë e ditur nëse ka pëlqimin e AKR-së.

Ndërsa, mbrëmë kryetari i Nismës, Fatmir Limaj deklaroi se një koalicion i sinqertë dhe me zemër mes PDK-së dhe Nismës do të dilte fitues i zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Po ashtu, pritet të kuptohet më shumë edhe rreth fatit të disa partive më të vogla dhe atyre të komuniteteve, të cilët në vijimësi kanë pasur ulëse në Kuvend nëse do të ketë koalicion apo do të bëhen pjesë e listave të përbashkëta me të mëdhatë.