Ballkani sot nuk arriti të sigurojë Evropën, pasi humbi edhe mundësin e dytë duke u mposhtur në finale të Kupës nga Prishtina. Pas ndeshjes, trajneri i skuadrës nga Suhareka, Ismet Munishi u shpreh se Prishtina u tregua një kundërshtar shumë i fortë.

Munishi ndër tjerash tha se skuadra e tij u mundua të bënte diç më shumë, por që nuk arriti të paktën të shënojë golin e barazimit

“Prishtina luajti mirë, luajti taktikisht shumë mirë e shënuan atë golin pas një pakujdesi dhe kishin edhe avantazhit gjatë gjithë shumicës së lojës. Ne tentuam, filluam me luajt edhe futboll shumë ofensivë, patëm shumë raste mirëpo si duket ne kemi pasur ndeshje shumë të vështira, kohëve të fundit dhe ato ndeshje në masë të madhe skuadra e ka humbur freskinë edhe në momentet vendimtare nuk e kishim përqendrimin e duhur, nuk e kishim koncentrimin e duhur tek pasi final tek përfundimi i aksionit, mirëpo sido që të jetë jam shumë i kënaqur me angazhimin e lojtarëve”, deklaroi Munishi.

Sa i përket stinorit të ri, Munishi u shpreh se pret që të ketë më pak kalkulime dhe me disa transferime Ballkani do të jetë një ndër skuadrat më të mira edhe gjatë kampionatit të ardhshëm.

“Sezonin e ri do të shohim disa pika të sjellim edhe disa lojtarë, të rrisim konkurrencën dhe normalisht që sezoni tjetër do të jetë me 10 skuadra, do të ngushtohet edhe rivaliteti dhe do të ketë vend më pak për ndonjë kalkulim aty këtu. Këtu e shoh shansin tonë se besoj që kemi luajt futboll të mirë. Ndoshta e kemi merituar daljen në Evropë gjithsesi sepse jemi një pikë mbrapa vendit të parë dhe në finale të Kupës së Kosovës dhe është e dhimbshme kur një skuadër luan gjatë gjithë kampionatit dhe të mos dal në Evropë është pak e dhimbshme”, përfundoi Munishi.

Kujtojmë që Ballkani këtë stinor ishte në vendin e parë për tëtë muaj, mirëpo në fund të stinorit humbi dy mundësitë që të dal në Evropë./Kp