Deputeti nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Etem Arifi, nuk ka marrë pjesë në votimin e Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

Kjo është bërë e ditur nga Hekuran Murati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në një postim në Facebook, pasi Kushtetuesja ka mbajtur seancë dëgjimore rreth kushtetueshmërisë së votës së deputetit Arifi për formimin e Qeverisë Hoti.

“Sa për sqarim, Etem Arifi nuk ka marrë pjesë në votim kur është votuar Qeveria Kurti. Pretendimi për të tërhequr paralele me votimin e qeverisë ilegale nuk qëndron”, ka shkruar deputeti Murati.

Arifi ishte njëri prej 61 deputetëve që votoi pro zgjedhjes së Qeverisë Hoti, pas shkarkimit të Qeverisë së Albin Kurtit të Lëvizjes Vetëvendosje.

E për këtë të fundit, vota e deputetit të Partisë së Ashkalinjve është jo-valide për faktin se ai është dënuar me një vjet e tre muaj burgim për mashtrim me subvencione.

Përkundër dënimit të formës së prerë të vitit 2019, Arifi mori pjesë në dy seanca të Kuvendit, më 25 mars, duke votuar për rrëzimin e Qeverisë Kurti, ndërsa në seancën e 3 qershorit vota e tij ishte vendimtare për formimin e Qeverisë së re të drejtuar nga Avdullah Hoti i LDK-së, parti kjo që ishte pjesë e koalicionit qeverisës me Vetëvendosjen për 50 ditë.

Ndryshe, Kushtetuesja sot ka bërë të ditur se vendimi për votën e deputeti Etem Arifi në lidhje me zgjedhjen e qeverisë do të merret ditëve në vijim.

“Palët argumentet e ngritura mundet t’i dorëzojnë edhe me shkrim pranë Gjykatës deri në datën 7 dhjetor, që i bie e hëna e ardhshme”, tha ajo.