Murati: Kushdo që është i interesuar të dijë për buxhetin të na bashkohet në takime

Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i është përgjigjur raportit të Institutit GAP, ku thotë se “52 për qind të buxhetit do të shkojnë në komunat që i qeverisë VV-ja”.
Murati ka shkruar se kushdo që është i interesuar të dijë më shumë për buxhetin, mund të ju bashkohet në takimet që po i mbajnë me qytetarët e komunave të ndryshme.

“Shumica e buxhetit për projektet e reja kapitale, është shpërndarë proporcionalisht dhe barabartë nëpër të gjitha komunat, përmes grantit qeveritar. Pjesa tjetër e buxhetit është alokim shtesë nëpër projekte ekzistuese që janë zvarritur me vite të tëra e nuk janë përfunduar kurrë, sepse qeveritë e kaluara i kishin nisur pa buxhetin e mjaftueshëm. As kjo nuk është reflektuar në këtë analizë. Kushdo që është i interesuar të dijë më shumë për buxhetin, mund të na bashkohet në takimet që po mbajmë me qytetarë nëpër komuna, ku shpalosim shumë detaje e plane për vitin 2023”, ka shkruar Murati në Facebook.
Lidhur me projektbuxhetin e vitit 2023 nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj ka shpërndarë analizën e Institutit GAP.
Duke u bazuar në këtë analizë, Zogaj ka thënë se 52% të investimeve kapitale nga niveli qendror parashihet t’u ndahen tri komunave të VV-së, që njëherit përbëjnë vetëm 9% të territorit e 8% të popullsisë./21Media
Back to top button