Murati propozoi të falen 100 eurot e para për secilin tatimpagues

Ministri i Financave, Hekuran Murati i propozoi Komisionit për Buxhet që të falen 100 eurot e para për secilin tatimpagues të pronës.
Ky propozim i Ministrisë së Financave, ai tha se bëhet për shkak të gjendjes së rëndë financiare tek shumë qytetarë dhe inflacionit të lartë.
Murati këtë propozim e bëri gjatë raportimit në këtë komision lidhur me rritjen e çmimit të tatimit në pronë.
11: 27-Murati: Të gatshëm të mbështesim çfarëdo kërkese për ulje të tatimit në pronë
Ministri i Financave, Hekuran Murati,  ka thënë se pjesa më e madhe e rritjes së faturave të tatimit në pronë krijohet nga tatimi i tokave.
Ai në një konferencë për media të premtën ka deklaruar se e sipas nenit 7 të Ligji për Tatimin në Pronë i cili ka hyrë në fuqi më 26 janar të vitit 2018, në vitin e pestë të zbatimit të ligjit, hyn në fuqi tatimi 100 për qind i tokave. Viti i pestë sipas Muratit i binte të ishte pikërisht viti 2023, që sipas tij, ka hyrë edhe automatikisht në fuqi ky vendim.

“Ky ligj i ka caktuar disa afate dhe disa kushte që i obligojnë institucionet të respektohen. Ky ligj sipas neni 7 ka paraparë që në vitin e 5-të të zbatimit të ligjit të hyjë në fuqi tatimi 100 për qind i tokave. Prej hyrjes në fuqi kanë filluar të tatimohen edhe tokat sepse njëherë kanë qenë vetëm ndërtesat. Viti 2023 është kur tatimi në toka aplikohet në vlerën 100 për qind, d.m. th këtë e obligon ligji. Ky ligj e ka përcaktuar qysh në vitin 2018 se tokat duhet të tatimohen dhe pjesa më e madhe e rritjes së faturave shkon nga ky tatim”, ka  deklaruar Murati.
Murati ka thënë se janë të gatshëmë mbështesin çfarëdo kërkese që kanë komunat për uljen e tatimit të vitit aktual.
“Ne si ministri jemi të gatshëm të mbështesim çfarëdo kërkese që kanë komunat për uljen e tatimit të vitit aktual, qoftë duke shkuar për të gjithë njësoj, qoftë duke marrë një prag ose duke marrë një përqindje të rritjes për ta falur si tatim në mënyrë që të mos ngarkohen qytetarët. Synimi ynë si ministri e edhe i Qeverisë është që të ndihmohen qytetarët sidomos në kohë të vështira, mirëpo konsideroj se nga disa komuna është bërë e padrejtë duke bërë politikë me këtë çështje”, tha Murati në konferencën për media.

08: 27- Rritja e tatimit në pronë, Murati raporton sot para mediave e deputetëve
“Rritja e vlerës së faturave të tatimit në pronë” do të jetë tema për të cilën ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, të premten do të raportojë në Komisionin për Buxhet
Rritja e faturave të tatimit në pronë, nuk u prit mirë nga qytetarët dhe partitë opozitare.
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), deklaruan se këtë vendim e ka marrë niveli qendror.
Mbledhja pritet të fillojë në orën 13:30 në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa po ashtu kjo ministri ka paralajmëruar konfrencë për media në orën 11:00 lidhur me temën në fjalë.
Arsyetimi i Ministrisë ishte se përgjatë vitit 2022 është kryer vlerësimi i përgjithshëm i tokave dhe objekteve rezidenciale si dhe ka përpiluar raporte të vlerësimit, për të cilat janë njoftuar të gjitha komunat./21Media

Back to top button