Murra: Mirëqenia do të rritet nëpërmjet bashkëpunimit rajonal

U cilësua i suksesshëm aktiviteti i organizuar sot për rritjen e bashkëpunimit rajonal

Drejtori i Fondit të Ballkanit Perëndimor (WBF), Gjergj Murra deklaroi në punëtorinë e sotme për rritjen e bashkëpunimit rajonal se dimensioni ekonomik mbetet thelbësor në rritjen e mirëqenies në rajon. Sipas tij, zhvillimi ekonomik mundëson progres të qëndrueshëm dhe të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe do të jetë ndihmesë në proceset e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Kreu i WBF shtoi se tregtia dhe bashkëpunimi në fushën e bizneseve shihet si një mënyrë realiste për të bërë progres të gjitha vendet e rajonit së bashku e kështu të rritet dhe mirëqenia.

“Për shkak të madhësisë së kufizuar të secilës prej vendeve tona në Ballkan, fushat të tilla si tregtia dhe bashkëpunimi i mëtejshëm në fushën e biz neseve të afarizmit mbeten një nga zgjidhjet më të rëndësishme dhe të vetme për të zhvilluar bashkëpunimin si një mënyrë realiste për të bërë progres të gjithë së bashku. Nëpërmjet bashkëpunimit rajonal do të krijohet dhe promovohet një mjedis biznesi që do të sigurojë investime të brendshme dhe të huaja, që do hapin vende të mëtejshme pune dhe si rrjedhojë një rritje standardi të jetesës të popullatës dhe ajo që është e rëndësishme për të luftuar fenomenin e largimit të popullsisë, fillimisht rinisë në rajonin tonë”, deklaroi Murra.

Murra e cilësoi si shumë të suksesshëm aktivitetin e organizuar sot nga Oda e Afarizmit të Kosovës dhe partnerët e saj, Oda Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranën, për rritjen e bashkëpunimit rajonal të cilin WBF e kishte mbështetur. Ai tha se një aktivitet i tillë ishte përzgjedhur mes 280 aplikimeve që kanë pranuar nga i gjithë rajoni ndërsa ftoi bizneset që së bashku me Fondin e Ballkanit Perëndimor të organizojnë nisma të tilla.

Back to top button