Deputetja e PDK-së Ganimete Musliu ka reaguar pasi Ministrja e Financave Hykmete Bajrami ka ftuar Guardia di Finanza për të hetuar skandalin e vjedhjes së më shumë se dy milionë euro nga Thesari i Shtetit.

Ajo e ka quajtur këtë ofendim ndaj popullit, duke i drejtuar një mori pyetjesh Bajramit i ka kërkuar asaj të mbajë përgjegjësi.

“Çka është kjo punë kështu? Kur po duhet të ndahen postet, yrysh po bëni për ti marrë kurse kur vije puna për të treguar rezultatet e për të dhënë përgjegjësi atëherë çoheni se kush më parë po thërret të huajtë për të kryer punët tona. Sa kushton kjo ftesë e juaja znj. Ministre? Kush i paguan ata zotritë e “Guarda di finanza” ? “, ka shkruar Musliu.

Një kërkesë tjetër e Ganimete Musliut është që italiant të mos ta gjejnë Bajramin në këtë post, pasi që sipas saj ajo duhet të japë dorëheqje.

“Me para të këtij populli po paguheni ju dhe po me para të popullit ju thërrisni italianët për ta kryer punën tuaj!!!!! A hiç s´po ju vjen marre a? Nëse neve çdo problem duhet të na zgjidhin të huajt atëherë që në fillim ne po emërojmë ministra italian, francez, gjerman, anglez e amerikan. Kështu të paktën kemi paguar vetëm njëherë për një punë. Mjaftë më me këtë mentalitet primitiv. Mjaftë më me pozicionim të personave të paaftë nëpër poste të rëndësishme. Mjaftë e ofenduat këtë popull duke trumbetuar shkollim ekscelent e duke mos qenë në gjendje as të punoni dhe as të mbani përgjegjësi për asgjë vet. Para se të vijnë italianët, Ti Ministre dhe të gjithë përgjegjësit që me këtë ftesë i ke deklaruar të dështuar duhet të ecni në shtëpi.”, ka përfunduar Musliu.

Guardia di Finanza merret me krimet financiare dhe kontrabandë, dhe ajo pritet së shpejti të vijë në Kosovë për të hetuar skandalin në Thesar, rreth zhdukjes së 2 milionë e 77 mijë eurove./21Media