Musliu e quajti frikacak kryeministrin Kurti
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu sot gjatë seancës plenare të Kuvendit i ka adresuar disa pyetje për kryeministrin Albin Kurti, të cilin edhe e ka quajtur frikacak për të qeverisur.
Në debatin, ku ishte duke u diskutuar për ekonominë, Musliu e ka pyetur të parin e qeverisë se sa kushton 1 litër vaj, qumësht, një bukë dhe 1 kilogram sheqer.
“Kam disa pyetje për Albin Kurtin, a e din sa kushton 1 litër vaj në Kosovë, sa kushton 1 litër qumësht, një bukë edhe një kilogram sheqer. Sa është vlera monetare që e marrin familjet me asistencë sociale në Kosovë. A janë kthyer ende 2 milionë euro thesarit të Kosovës që iu morën gjatë qeverisjes së Avdullah Hotit. Këto janë pyetje që Albin Kurti duhet të përgjigjet para qytetarëve të Kosovës. Shpresoj që një herë e mirë, ai edhe qeverisja e tyre e kanë kuptuar se është lehtë për të folur, akuzuar dhe propaganduar, por është vështirë të përballësh me sfidat”, ka thënë ajo.
Mungesën e kryeministrin Kurti në seancën e Kuvendit, Musliu e ka vlerësuar si ikje nga përballja me sfidat e qytetarëve.
“Ikja e tij nga çdo temë, ikja e tij nga çdo përballje me sfidat e qytetarëve tregon së është i padenjë, frikacak dhe ai nuk dinë tjetër përveç të dalë dhe recitoj në studio publike”, ka shtuar deputetja e PDK-së.