Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa sot tha se se LDK do t’i drejtohet organeve kompetente për të kërkuar se mbi cilat baza ligjore, policia dhe prokuroria kanë arrestuar kryetarin e Istogut. Ai ndërkaq tha se rasti Rugova do të trajtohet nga Prokuroria Speciale.

“Ne kërkojmë si LDK barazi para ligjit dhe respektim të plotë të ligjit nga institucionet e drejtësisë. Ne nuk dëshirojmë të krahasohemi me shembuj të këqij dhe drejtësia të kryejë punën e saj mbi bazën e ligjit dhe jo mbi bazën e porosive. LDK kërkon që prokuroria dhe policia të qëndrojnë larg politikës. Nëse prokurori apo prokurorja e merr rolin e diktimit të zgjedhjeve në Istog, e nesër në Pejë apo diku tjetër, sepse është e lidhur me ndonjë parti politike, atëherë rrezikohet demokracia në vend dhe humb sensi i zgjedhjeve të lira e demokratike në vend. Jam njoftuar nga avokati i Rugovës që rasti i tij të trajtohet nga Prokuroria Speciale dhe kjo e fundit ta marrë këtë lëndë, sepse kemi besim të plotë se ajo do ta kryejë punën në bazë të ligjit”, tha Mustafa.

Kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova është arrestuar të premten në mbrëmje. Raportohet se ai është arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Gjykata Themelore në Pejë sot ka aprovuar propozimin e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës një muaj arrest shtëpiak ndaj Haki Rugovës për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale konflikt i interesit, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe vepër penale falsifikim i dokumentit zyrtar.

Masë e arrestit shtëpiak prej një muaji i është caktuar edhe të pandehurit tjetër L.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim i dokumentit zyrtar.

Ndërsa, për të pandehurin F.B, i dyshuar se në bashkëkryerje me të pandehurit H.R dhe L.B kishte për të kryer veprën penale falsifikim i dokumentit zyrtar, prokurori i shtetit në seancë hoqi dorë nga propozimi për caktimin e masës së arrestit shtëpiak.