Kreu i LDK-së, Isa Mustafa është shprehur i pakënaqur me procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se ky dialog po e humb kuptimin.

“Me sjelljet e Sebisë, në njërën anë dhe të BE-së, në anën tjetër, dialogu po e humb kuptimin. Sa po rrjedh koha, ai më shumë po shndërrohet në instrument të Serbisë për të blerë kohë për ti vënë në harresë krimet e saj”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e tij “Facebook”.

Ai tutje ka kërkuar shpjegim nga BE-ja për zotimet e Serbisë.

“Kosova e vlerësoi fjalimin e një deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë. Ai e tha të vërtetën!
Por ne dëgjuam edhe betimin e çdo ministri serb, tjerë përveç serbëve nuk ka në “demokracinë serbe” se “do të jem i përkushtuar ruajtjes së Kosovës e Metohisë brenda Republikës së Serbisë”. Shtrohet pyetja si konvergjon dialogu për marrëveshje gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje reciproke me këtë zotim të qeverise serbe! A mundet BE të jap shpjegimin e saj?”, ka shkruar i pari i LDK-së.

Mustafa ka thënë se Kosova është treguar konstruktive karshi dialogut dhe angazhimit të BE-së dhe SHBA-së për këtë process, duke theksuar se edhe Hoti po tregon përkushtim shumë konstruktiv.

“Por ky përkushtim i yni, kam përshtypje se nuk po vlerësohet nga BE. Bile ka tendenca të hapen disa tema që janë të njëjtat me ato që janë diskutuar në procesin e Vjenës. Ndërkaq, Kosova e ka shpallur pavarësinë me mbylljen e atyre temave në “Pakon e Ahtisarit””, ka shkruar Mustafa.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tutje u shpreh se kundërshtimi i vendeve të caktuara të BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarë e Kosovës, edhe pse janë përmbushur të gjitha kriteret, më shumë flet për një qëndrim paragjykues të tyre, sesa për parime.

“Ne kemi dëshirë të besojmë se vendet e tilla ia duan të mirën Kosovës. Por kjo ide nuk pasqyrohet përmes politikave të izolimit të qytetarëve të një vendi. Politikat e izolimit nuk përkojnë me demokracinë dhe kulturën evropiane. Ndërkaq ne nuk heqim dorë nga të qenurit evropian, me territor, me arsim, me kulturë e me ekonomi. As vizat dhe as Serbia nuk na ndalin në këtë rrugë”, ka përfunduar Mustafa./21Media