Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa pas rritjes së numrit të rasteve të konfirmuar me COVID 19 në Kosovë, ka bërë apel për kujdes maksimal, duke shtuar se duhet që të hiqet dorë nga ahengjet, dasmat, protestat, tubimet e pushimet.

Mustafa tutje ka thënë se “mos të presim që Qeveria, Ministria e shëndetësisë, institucionet Shëndetësisë, policia, inspektorët mund të na mbrojnë nga kjo pandemi, në qoftëse nuk respektojmë rend dhe rregulla”.

Ai gjithashtu ka theksuar se ai vetë është trajtuar në shtëpi pas konfirmimit se është infektuar me virus.

“Mund të mbrohemi vet, nëse tregojmë kujdes dhe respektojmë rekomandimet e institucioneve shëndetësore dhe rregullat e Qeverisë. Unë u trajtova në shtëpi, respektova dhe po respektoj në mënyre absolute rekomandimet dhe udhëzimet e mjekëve tanë. Nuk ishte e lehtë”, ka shkruar Mustafa.

Sipas tij, nëse nuk merret seriozisht kkjo pandemi “atëherë neglizhojmë jetën tonë dhe të atyre me të cilët komunikojmë”.

Në fund Mustafa ka kërkaur nga të gjithë që t’i ndihmojmë dhe të përkrahim punonjësit shëndetësorë dhe SHSKUK që të organizojë hapësirë për të sëmurit në tërë Kosovën. “Të ndajmë edhe euron e fundit për shëndetin”.

Në Kosovë sot është shënuar numër rekord i rasteve të reja, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 276 raste me Covid-19. Ndërsam janë shëruar 153 pacientë si dhe kanë humbur jetën tetë persona. /21Media