Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se i takon kryeministrit Avdullah Hoti që të vendosë nëse dëshiron të marrë pjesë në takimin e 27 qershorit në Uashington me palën serbe, pasi presidenti Hashim Thaçi anuloi vizitën, pas propozim aktakuzës nga Zyra e Prokurorit Special e Gjykatës Speciale në Hagë. Ai këto komente i bëri sonte pas një takimi urgjent të kësaj partie, pas inicimit të Speciales për propozim-aktakuzë kundër presidentit Thaçi dhe kreut të PDK-së Kadri Veseli.

“Nuk mund ta deklaroi këtë kryeministri do të vlerësojë vetë sepse kemi një situatë të re dhe në këtë situatë të re sigurisht duhet ta bëjë vlerësimin vetë në konsultim me edhe me partnerët e koalicionit. Nesër me sa di unë ka takim me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, të Komisionit Evropian dhe për Uashington nuk e di sepse kemi tash rrethana krejtësisht tjera”, tha Mustafa.

Kreu i LDK-së nuk ka komentuar propozim-aktakuzën nga Prokuroria e Specializuar, duke thënë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë.

“Ne dolëm për punët tona, sepse po praktikojmë që në mbrëmje të shihemi dhe të koordinojmë punët edhe me grupin parlamentar dhe qeverinë, meqenëse kryeministri është në rrugë dhe sot ne kishim një informim nga mediat lidhur me veprimet e Gjykatës Speciale, për neve akoma informata nuk është e qartë, sepse nuk ka dalë prej deklarimeve të zyrtarëve të Gjykatës Speciale, prandaj nuk jemi ata që dëshirojmë ta komentojmë, as që mund ta komentojmë. Ajo çfarë që mund të them është se lufta e UÇK-së për LDK-në ka qenë e drejtë dhe se luftëtarët e UÇK-së kanë luftuar për të mbrojtur qytetarin e Kosovës kundrejt gjenocidit dhe krimit të organizuar dhe terrorit të Serbisë”, tha ai.

Emisari special amerikan për dialogun Richard Grenell tha sot se kryeministri Hoti do të udhëheqë dialogun në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, pasi presidenti Thaçi anuloi vizitën për shkak të inicimit të aktakuzës.

Ndryshe, kryeministri Hoti nesër pritet të zhvillojë takime me zyrtarët e BE-së./kp