Paraditen e sotme është mbajtur një protestë kundër ndërtimit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë.

Lidhur me këtë protestë kanë reaguar edhe liderë të partive politike në Kosovë. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa është shprehur pro ndërtimit të kësaj xhamie. Ai ka thënë se pavarësishit që protestat janë pjesë e demokracisë, protesta e sotme tregon kompleksitetin e shoqërisë sonë që të pranojnë atë që janë.

“Jemi këta që jemi, rreth 95 perqind muslimanë. Por, në vend që të turpërohemi, do duhej të krenohemi, ashtu siç krenohen të gjithë njerëzit e botës për besimin e tyre në zot, për objektet e tyre monumentale fetare, pa marrë parasysh sesi e demonstrojnë besimin e tyre, si muslimanë, katolikë, ortodoksë, protestantë….”, ka shkruar Mustafa.

Tutje Mustafa i ka bërë thirrje kryetarit të Prishtinës që ta çojë përpara këtë projekt.

“Tendenca që të diktosh besimin dhe objektet fetare, nuk përkon me respektimin tonë të ndërsjell dhe as me respektimin e vetëvetes. Pse duhet të na pengojë një xhami e madhe, një katedrale, një kishë në Prishtinë. Qytetet më tëdha ua kanë vënë qytetarë të tyre vendet më të mira për xhami, siç është Londra. Është Tirana. Këtë e kam bërë edhe unë sa isha Kryetar i Prishtinës.E inkurajoj Kryetarin Ahmeti të vazhdojë me ofrimin e zgjidhjes më të mirë për ndërtimin e kësaj xhamie. Të mundohesh që të paraqitesh ai që nuk je, s’është asgjë më pak sesa primitivizëm. “, ka përfunduar Mustafa.

E pro ndërtimit të kësaj xhamie është shprehur edhe kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ai madje ka thënë se duhet ta falënderojmë Turqinë dhe donatorët që po ndihmojnë në ndërtimin e kësaj xhamie.

“Askush nuk ka arsye të shqetësohet për ndërtimin e xhamisë se re në Prishtinë. Arkitektura e saj është shprehje e ndjenjave kulturore e fetare të shumicës së popullatës të besimit Islam të vendit. Ne duhet të jemi mirënjohës Turqisë dhe donatorëve të tjerë për gjestin e tyre. Kosova është një shembull për botën kur bëhet fjalë për tolerancë fetare e diverzitet etnik e demografik. Le të vazhdojmë të jemi kështu.”, ka përfunduar Pacolli./21Media