​Mustafa i vlerëson shqetësuese masat e Qeverisë

​Mustafa i vlerëson shqetësuese masat e Qeverisë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se deputetët sot do duhej ta thonë fjalën e tyre, jo për pako financiare, por për uzurpimin e shtetit nga Qeveria në detyrë.

“Unë nuk dyshoj se PDK si inicuese e kësaj séance nuk e ka përgatitur me qëllime të mira një propozim të pakos financiare, por me këto masa drakonike të kësaj qeverie në detyrë nuk funksionon asnjë pako. Sepse kur jeta ekonomike dhe biznesore mbyllet skajshmerisht, nuk ka pako që shpëton as atë e as qytetarët”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka kërkuar largimin e Qeverisë në detyrë dhe krijimin e një qeverie të re.“Pako e vetme e arsyeshme është që të shkojë kjo qeveri dhe logjikë qeverisëse një ditë e më parë, të krijohet qeveri e re e cila së bashku me Kuvendin do të nxjerr masat e domosdoshme për ta kapërcyet këtë gjendje në të cilën jemi”, ka thënë Mustafa.

Mustafa, ka hedhur një varg kritikash ndaj Qeverisë në detyrë. Vendimet e mbrëmshme të qeverisë në detyrë, Mustafa po i konsideron shqetësuese, teksa thotë se “ato kapërcejnë çdo kufi të një shteti demokratik”.

“Vendimet që Kryeministri në detyrë na i lexoi mbrëmë në “natën historike” përmes gojës së Ministrit të Shëndetësisë, janë shqetësuese. Ato kapërcejnë çdo kufi të një shteti demokratik. Sipas këtyre vendimeve, qytetarët e Kosovës nuk janë qytetarë me të drejta të garantuara kushtetuese. Qeveria në detyrë nuk është qeveri e një shteti parlamentar. Ajo nuk po e respekton Kushtetutën dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Ministritë e caktuara janë bërë vet ligji. Deputetët, si përfaqësues të popullit, do të mund të shkojnë në Kuvend, vetëm kur ua lejon Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Ministrat e LDK-së mbesin anash”, ka thënë Mustafa./21Media