Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në 20 vjetorin e vrasjes, ka përkujtuar veprimtarin, Shaban Manaj, të cilin e ka vlerësuar si personalitet të veçantë i udhëhequr nga idealet e presidentit historik.

Mustafa ndër të tjerash ka thënë se shumë veprimtarë u vranë nga dora tinëzare gjatë luftës dhe pas luftës, prandaj ka kërkuar që institucionet përgjegjëse të drejtësisë të ndriçojnë vrasjet e tyre dhe që kryerësit dhe nxitësit e vrasjeve të përgjigjen para ligjit.

“Sot, bëhen 20 vite nga vrasja tinëzare me motive politike, e veprimtarit dhe avokatit të shquar, Shaban Manaj. Shaban Manaj ishte personalitet i veçantë i udhëhequr nga idealet e Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, atdhetar, intelektual i mirëfilltë dhe veprimtar, i përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Me plotë meritë u dekorua “Hero i Kosovës”, për kontributin e tij të dhënë për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë, në periudhat më të vështira”, ka shkruar Mustafa.

Mustafa tutje u shpreh se populli i Kosovës dhe LDK-ja do t’i përkujtojnë dhe nderojnë Shaban Manajn dhe të gjithë intelektualët dhe veprimtarët që punuan dhe dhanë jetën për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë në Kosovë.

“Lavdi jetës dhe veprës së Shaban Manajt, përherë mirënjohës për sakrificën e tij”, ka përfunduar Mustfa./21Media