Mustafa: Nuk flas me asnjë ekip tjetër pa u biseduar së pari me Malishevën

Ilir Mustafa është njëri nga lojtarët që ka dhënë kontribut shumë të madh në edicionin e sapo përfunduar të Superligës së Kosovës që Malisheva ta sigurojë mbijetesën dhe të jetë pjesë e Superligës së Kosovës edhe sezonin e ardhshëm.
Mesfushori 26 vjeçar ka thënë se arritja e objektivit që Malisheva të mbetet në Superligë ishte një arritje e madhe edhe pse nuk ishte aspak e lehtë.
“Patjetër që objektivi i Malishevës ishte që këtë vit të qëndroj në Superligë dhe ia arritëm me sukses, së dyti ishte tepër e vështirë duke u bazuar që ishte hera e parë e klubit në Superligë dhe ishim shume të nënvlerësuar nga të gjitha ekipet, por që ja dolëm me sukses”, ka thënë Mustafa.
Ai më pas duke folur për KP, u ka bërë thirrje drejtuesve të klubit që ta ruajnë baza e skuadrës dhe që në këtë afat kalimtar të sillen disa futbollistë cilësorë në mënyrë që skuadra të jetë edhe më kompetitive në sezonin e ardhshëm.
“Sa i përket lëvizjeve nuk mund ta di çfarë plane ka kryesia e klubit, por që për mendimin tim duhet ta ruaj bazën dhe të transferojë disa futbollistë cilësorë që të jetë arrë më e fortë në stinorin që vjen”, ka thënë Mustafa.
Mustafa në fund ka folur edhe për të ardhmen e tij. Ai ka zbuluar se kontrata aktuale me Malishevën i skadon këtë vit dhe se është në bisedime me klubin për vazhdimin e saj. Ai ka shtuar se ka interesim konkret nga një skuadër e Suprligës së Kosovës, por do ta respektojë kontratën dhe për shkak të kësaj nuk do të bisedojë me klube të tjera.
“Kontrata me Malishevën skadon këtë vit, por do të negociojmë së pari me klubin. Nëse e arrijmë gjuhën e përbashkët apo jo, pastaj mund të flasim më gjerësisht. E kam një oferte konkrete nga një skuadër e Superligës së Kosovës, por pa përfunduar marrëveshja me Malishevën nuk futem ne bisedime me asnjë ekip tjetër”, ka theksuar në fund mesfushori i Malishevës.
Ndryshe, Malisheva e siguroi qëndrimin në elitën e futbollit të Kosovës pasi e mposhti Vushtrrinë në ndeshjen e barazhit me rezultat 3-0.

Back to top button