Mustafa optimist: LDK-ja do ta rikthejë gazin amerikan në sektorin energjetik

(Lajm i përditësuar)
Mustafa optimist: LDK-ja do ta rikthejë gazin amerikan në sektorin energjetik
Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Besian Mustafa, në “Click” të RTV21 ka theksuar se një nga prioritetet e partisë është përfshirja e gazit amerikan në furnizimin me energji në Kosovë, për çka u shpreh i bindur se ky projekt do të rikthehet.
”Të kemi një partneritet publiko privat mes qeverisë së Kosovës dhe Amerikës, të kemi një bashkëpunim strategjik dhe një dokument të bashkëpunimit strategjik”, tha Mustafa.
Plani i LDK-së për zhvillimin ekonomik,”5 miliardë euro për investime kapitale”
Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Besian Mustafa në ”Click” të RTV21 ka prezantuar planin e partisë së tij për zhvillimin ekonomik për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Mustafa ka ndarë disa nga pikat kyçe të platformës së LDK-së, duke theksuar angazhimin për zhvillimin e Kosovës, përmirësimin e kushteve të jetesës.
”Ne parashohim rritje mesatare vjetore të bruto prodhimit vendor prej 5 % në këto 4 vite të ardhshme një buxhet prej 5 miliardë euro në fund të atij mandatit pra në vitin e katërt dhe 5 milardë euro investime projekte kapitale”, tha Mustafa.
Mustafa: 100 euro, sot kanë vlerën e 70 eurove
Kandidati për deputet nga LDK, Besian Mustafa në ”Click” të RTV21 ka theksuar se fuqia blerëse e qytetarëve të Kosovës ka pësuar një rënie të ndjeshme gjatë katër viteve të fundit nën qeverisjen Kurti.
Sipas tij, nëse para katër viteve një qytetar mund të blejë një shportë ushqimesh me 100 euro, tani i duhen 130 euro për të njëjtën shumë.
Mustafa ka ilustruar këtë rënie të fuqisë blerëse duke thënë se monedha prej 100 eurove, që para katër viteve kishte vlerën e plotë, sot ka vlerën e 70 eurove.
”Nëse para 4 viteve ke blerë një shport me ushqime me 100 euro sot të duhen 130 euro, ose thënë ndryshe një monedh prej 100 eurove që ka pasur vlerën e 100 euro sot ka vlerë prej 70 eurove”, tha Mustafa.
Mustafa: Kurti dhe partia e tij janë të vetëdijshëm se do të humbin zgjedhjet
Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Besian Mustafa, në ”Click” të RTV21 ka komentuar deklaratat e kryeministrit, Albin Kurtit bërë karshi opozitës.
Mustafa tha se LVV e ka marrë mesazhin nga tereni se nuk e ka përkrahjen e qytetarëve në zgjedhjet e 9 shkurtit.
”Albin Kurti dhe partia e tij kanë marrë informacionet nga tereni se janë në rënie të lirë, janë të vetëdijshem që nuk do t’i fitojnë zgjedhjet dhe janë në panikë dhe nga kjo panik në vend që të flasin për punën e tyre kanë filluar të shajnë partitë e tjera”, tha Mustafa./21Media