Lideri i LDK-së, Isa Mustafa pas votimit të Qeverisë së re me Avdullah Hotin në krye, uroi kryeministrin e sapozgjedhur, qytetarët, partitë dhe deputetët e Kosovës. Në një shkrim në Facebook, Mustafa u shpreh se kjo ishte një ditë e madhe për Kosovën.

“Një ditë e madhe për Kosovën. Kosova zgjodhi Qeverinë e re me Kryeministër, Avdullah Hoti. Urime zotni Kryeministër! Urime qytetarë të Republikës së Kosovës! Urime LDK, AAK, Nisma, AKR, parti parlamentare që përfaqësoni komunitetet joshumicë! Urime deputetë që votuat pa hezituar dhe pa u frikësuar! Vota juaj do ta shpëtojë Kosovën. Sot përcollëm një ekspoze të qartë, konkrete me orientime vizionare të Kryeministrit tonë. Të njeriut me tipare humane, me dije të thella shkenëcore; i thjeshtë dhe i afërt me njerëz. Nuk e ofendoi askend; apeloi për ura bashkëpunimi; reflektoi vullnet të paskajshëm për familjen evropiane dhe euroatlantike.Zotni Kryeministër,
Të priftë e mbara së bashku me kabinetin tuaj të mrekullueshëm!”, shkroi Mustafa në Facebook.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës është votuar Qeveria Hoti, me 61 vota për, 24 kundër dhe një abstenim. Hoti do të qeverisë me kabinetin e tij të përbërë nga 4 zëvendëskryeministra dhe 16 ministra./21Media