Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka reaguar prapë ndaj studimit që i është prezantuar Parlamentit Evropian për Kosovën, i cili konstaton se amerikanët përmes dezinformatave kanë rrëzuar qeverinë e Albin Kurtit.

I pari i LDK-së ka thënë se sa i përket Kosovës, del të jetë një pamflet me plotë paragjykime e gënjeshtra. Dhe sipas tij ky studim është kompleks i inferioritetit të tyre kundrejt SHBA-ve.

Në reagimin e tij Mustafa ka përmendur rrugëtimin e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa studimin e ka quajtur material manipulativ.

“Ajo që i mungon këtij pamfleti është që t’iu prezantohet parlamentarëve evropian rrena se:
-LDK dhe Kryetari i saj Isa Mustafa janë eksponentë të dhunës ndërkaq LVV, parti paqësore e demokratike me orientime evropiane dhe euroatlantike;
– se LDK dhe kryetari i saj kanë kundërshtuar ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi dhe dialogun e përkrahur nga BE dhe SHBA dhe si pasojë mbeti Kosova pa liberalizim të vizave, kurse pëllumbat e VV-së kishin bashkëpunim konstruktiv me BE dhe SHBA;
– Se LDK ka organizuar protesta të dhunshme, ka gjuajtur me molotov ndërtesat qeveriare, bile edhe Kuvendin me granatë, ndërkaq VV ka kundërshtuar veprimet e tilla:
– se deputetët e LDK -së të shtytur nga Isa Mustafa dhe të ndikuar nga Grenelli” në vitin 2015 dhe 2016 ka hudhë gas lotësjelës në Kuvendin e Kosovës, Isa i ka hudhë vetes sprej Syve e jo Albini;
– Isa Mustafa si Kryeministër e ka gjuajtur shtëpinë e vet me molotov, i ka qitë makinës së tij iriqa me gjemba për ta praptuar, sepse e “ka bind Grenelli me Tëitta të rrejshëm” e LVV ka shprehë habi për këto veprime të dhunshme;
– Se diplomacia franceze dhe Gjermane kane bërë demarsh ndaj këtyre veprimeve të dhunshme të “LDK-së”…?!
– Isa Mustafa dhe LDK e kanë shkarkuar vet Agim Veliun nga Qeveria Kurti dhe nuk i kanë treguar fare Kurtit… etj”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e tij “Facebook”.

Tutje ai ka thënë se nuk çuditet fare lidhur me këso “dezinformime”.

Mustafa studimin e konsideron me logjikë fashiste, i përgatitur me frymë ruse.

“Hitleri i ka vrarë ushtarët e vet për t’ia mveshë fajin dhe për të krijuar shkas për okupim të Polonisë. Millosheviqi ka vrare të rinj serb, për t’ua mveshë shqiptarëve dhe për të filluar gjenocidin në Kosovë. Logjika fashiste është e tmerrshme. Genjeshtrat kombëtare dhe ndërkombëtare nuk kanë fund. Nuk marrin fund as përpjekjet denigruese dhe poshtëruese të Vetëvendosjes dhe shokëve të tyre me përvoja të gjata dhe dashuri ruse. Të gjitha këto të financuara me para të taksapaguesëve evropian”, ka shkruar Mustafa./21Media