Porosia e Mustafës për Qeverinë

Porosia e Mustafës për Qeverinë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa në 29-vjetorin e themelimit të Forumit të Gruas dhe atë të Rinisë së LDK-së, foli rreth qëndrimeve të tij ndaj qeverisjes aktuale.

Ai konsideron se qeverisja Haradinaj duhet t’i ndryshojë qëndrimet edhe sjelljet e saj ndaj vendimeve që ka marrë dhe partnerëve ndërkombëtar, e veçanërisht ndaj SHBA-së.

I pari i LDK-së po ashtu tha se me problemet me të cilat në vazhdimësi po ballafaqohen qytetarët e Kosovës, nuk po merren institucionet përgjegjëse, por ato përmes vendime që po marrin po i mbulojnë ato probleme.

“Jemi munduar që edhe qeverisjes aktuale t’ia bëjmë me dije që duhet t’i ndërrojë qëndrimet e saj, duhet t’i ndërroj sjelljet e saj sepse është në interes të vendit që ne të kemi bashkëpunim më të mirë me partnerët tanë evropian dhe veçmas me SHBA. Është në interes të vendit që ne të përmbushim agjendën evropiane, sepse pa e përmbushur këtë agjendë ne nuk mund të anëtarësohemi në BE dhe ne nuk kemi rrugë tjetër. Ata po i mbulojnë këto probleme me disa vendime, të cilat prapë ata duhet të mendojnë si t’i zgjidhin ashtu siç i kanë marrë, ashtu duhet ta gjejnë edhe çelësin për t’i zgjidhur këto probleme në mënyrë që Kosova të dalë nga ky kolaps politik dhe institucional. Ne do ta japim kontributin tonë si opozitë, ne do të japim kontributin tonë në dialog, por do japim si opozitë, sepse nuk do t’i ndërrojmë role tona, do të japim kontributin tonë në integrimet evropiane dhe euroatlantike. Ne, po ashtu, do të japim kontributin tonë në thellimin e miqësisë së përhershme me SHBA-të ”, tha Mustafa.

Duke e konsideruar si të pazëvendësueshme partinë që ai udhëheq, lideri i LDK-së tha se është e rëndësishme që Kosova sa më parë të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe qytetarët e saj të lëvizin lirshëm.

Në 29-vjetorin e themelimit të Forumit të Gruas dhe atë të Rinisë, Mustafa  tha po ashtu se do të kontribuojnë në kultivimin e një shoqërie demokratike dhe të ofrojnë zgjidhje për problemet e qytetarëve.

“Vetë fakti që ne tani më jemi në një bllokadë qeverisës të vendit që institucionet e Republikës së Kosovës nuk po funksionojnë ashtu siç duhet, në të vërtetë po funksionojnë shumë keq flet për nevojën e forumit të mëtutjeshëm të LDK-së dhe për faktin se LDK është e pazëvendësueshme në këtë shoqëri. Për Kosovën LDK nuk mund të forcohet me asgjë, por me meqenëse nuk mund të zëvendësohet ne duhet t’i themi çdo anëtari të LDK-së që të japim kontributin tonë për forcimin e LDK-së“, u shpreh Mustafa.

Kreu i LDK-së garantoi se me zgjedhjet e brendshme do të ofrohet më shumë mundësi që gratë dhe të rinjtë të kenë përfshirje më të madhe në këtë parti. Sipas tij, kjo parti në këtë fazë është më e fuqishme se kurrë, pasi ka një forum të gruas dhe të rinisë të mirë që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e vendit.

Kryetarja e Forumit të Gruas në LDK, Lirie Kajtazi u shpreh se me qeverisjen aktuale i mbetet shumë punë gruas dhe të rinjve.

“Për 29 vjet me radhë si lëvizje për liri dhe emancipim të gruas, jemi edhe sot duke i ndenjur përballë të gjitha sfidave, të cilat dikur na vinin si pasojë e një sistemi të egër që nuk ishte i yni, por për fat të keq sfidat vazhdojnë tutje edhe në sisteme të cilat i quajmë qeveri tona ngase në pa korrektësi të qeverisjes i mbetet shumë punë gruas, të rinjve dhe familjes”, tha ajo.

Drejtuesi i Forumit të Rinisë në këtë parti, Fidan Rekaliu tha se kanë trajnuar mbi 1 mijë të rinj, të cilët janë të gatshëm për tregun e punës në vend.