I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa tha se janë duke përpjekje që gjatë javës ardhshme të vendosin për kandidatin që do garojë në zgjedhjet e jashtëzakonshme. Ai nuk ka njoftuar për kandidatët potencial, por tha se që janë duke punuar që shume shpejt të vendosin për të.

Pas mbledhjes së kryesisë ai tha se u diskutua për kriteret për kandidatin për kryeministër nga radhët e LDK-së.

“Do të bëjmë përpjekje qe të kemi në fillim të javës tjetër. Sot e kishim mbledhjen e kryesisë, diskutuam për përgatitjet për zgjedhje. Diskutuam po ashtu për kriteret për kandidatë që do i marrin edhe nga degët, por edhe nga opinioni nga qytetarët për deputetë të Kuvendit të Kosovës. Pra jemi në përgatitje, do të punojmë sot, do të punojmë nesër, të hënën që sa më shpejt të dalim, në mënyrë që ne momentin që kemi kandidatin atëherë e koncentrojmë punën e organizimit të fushatës te kryeministri”, theksoi ai.

Ai nuk ka folur për emrat potencialë për kandidat për kryeministër, veçse tha se shumë shpejt do të vendoset për të.

“Tani nuk po flas për emra sepse për emra duhet të diskutojmë në organe. Por meqenëse do ta bëjmë shpejt, shpejt do ta merrni vesh”, tha Mustafa.

Pranë selisë së LDK-së, pas mbledhjes së kryesisë është parë Gazmend Abrashi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Mustafa tha se Abrashi ka pasur vizitë private, duke shtuar se nuk janë duke biseduar për asnjë koalicion me partitë politike.

“Jo fare, nuk kemi asnjë koalicion. Vërtetë me asnjë subjekt politik nuk jemi duke diskutuar për koalicione. Është vizitë private, me personelin këtu. Prandaj nuk është vizitë zyrtare për çështje politike”, shtoi ai.

I pyetur për fillimin e vaksinimit të banorëve serb në veri, Mustafa tha se Hoti do ta sqarojë se si kanë hyrë ato vaksina.

“Kryeministri tha se ata gjatë ditës do ta sqarojnë se si kanë hyrë ato vaksina, sepse nuk është informuar askush[…]procedura e vaksinimit kryhen ne harmoni me MSh-në këtu dhe me qeverinë”, tha ai.