Lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar ndaj raportit që sot është publikuar në media, në të cilin është shkruar se fenomeni i dezinformimit në Kosovë ka pasur implikime të drejtpërdrejta politike që kanë shkaktuar edhe rënien e qeverisë së Albin Kurtit.

Mustafa është shprehur se ky studim është manipulim, të cilin e ka quajtur edhe “studim” të bashkëmendimtarëve të Albin Kurtit.

“Disa bashkëmendimtarë të majtë evropianë të tashmë forcës kryesore politike të së majtës në Kosovë (Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit), në një “studim” që paskan bërë për efektin e lajmeve të rreme në politikëbërje, përfshirë edhe Kosovën, më paska “akuzuar” si prodhues të lajmeve të rreme me qëllim rrëzimin e qeverisë së koalicionit ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së ! Meqë ky “studim” qenka bërë për nevojat e Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, si kryetar i LDK-së, do t’u drejtohem partive simotra të LDK-së në EPP (Partitë Popullore Evropiane) me sqarimet e nevojshme për ta hedhur poshtë këtë “studim” tendencioz dhe të motivuar ideologjikisht ndaj LDK-së.”, ka shkruar Mustafa në facebook.

Ai ka deklaruar se partia e tij i ka dhënë mundësi Vetëvendosjes, por sipas Mustafës, VV kishte filluar të rrezikonte partneritetin me ShBA-të.

“E vërteta e bashkëqeverisjes mes LDK-së dhe Vetëvendosjes është e qartë dhe e pastër. LDK-ja i dha shans Vetëvendosjes për të punuar bashkërisht për të mirën e Kosovës. Vetëvendosje, përveç që tentoi ta keqpërdorte partneritetin dhe kontruktivitetin e LDK-së, duke u kthyer në shtratin e saj ideologjik dhe gjenezën izolacioniste, filloi ta rrezikonte partneritetin e Kosovës me aleatët e saj kryesorë, para se gjithash me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. LDK-ja nuk mund të duronte nëpërkëmbjen e saj nga një parti tjetër dhe taman puna të rrinte duke e soditur Vetëvendosjen teksa po shkarkonte ministra të LDK-së duke e shkelur marrëveshjen dhe po rrezikonte partneritetin e Kosovës me SHBA-të ! Prandaj, LDK-ja reagoi. Dhe do të reagoj ndaj kujtdo në Kosovë që e quan veten aq të rëndësishëm e të fortë sa të shpërfillë thirrjet telefonike nga Shtëpia e Bardhë e Departamenti Amerikan i Shtetit.”, ka shtuar tutje Mustafa.

Lideri i LDK-së tutje është shprehur qëparteriteti me ShBA-të është rruga e vetme për vendin tonë. Mustafa ka potencuar se shpreson që “studimi” të përfundojë si përpjekje e dëshpëruar për manipulimin e së vërtetës.

“Që organizon fushata denigruese ndaj zyrtarëve amerikanë dhe Shtëpinë e Bardhë e portretizon si një vend ku copëtohet Kosova.
LDK-ja, si partia e parë politike në Kosovë dhe si trasuesja e orientimit pro-perëndimor të Kosovës, e ka obligim të kujdeset për të mos lejuar asnjëherë tendencat për shmangie nga ky orientim. Sepse, partneriteti me SHBA-të dhe demokracinë perëndimore, është orientim natyror dhe sepse është rruga e vetme për Kosovën. Autorët e “studimit”, shpresoj shumë se do të ballafaqohen me mbështetësit e Kosovës në Parlamentin Evropian dhe “studimi” i tyre do të përfundoj si një përpjekje e dëshpëruar për manipulimin e së vërtetës.”, ka përfunduar Mustafa.

Një studim mbi rolin e lajmeve të rreme në Ballkanin Perëndimor, i prezantuar në Parlamentin Evropian (PE) ka bërë të ditur se fenomeni i dezinformimit në Kosovë ka pasur implikime të drejtpërdrejta politike që shkaktuan edhe rënien e qeverisë së Albin Kurtit.

Tutje në studim është potencuar  se në fillim të vitit 2020, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, për të forcuar fushatën e tij të rizgjedhjes, i ka kthyer vështrimet e tij në negociatat a zgjidhje midis Kosovës dhe Serbisë. Detyra e negociatave iu dha ambasadorit, Richard Grenell, një ish Drejtor i Përgjithshëm i Inteligjencës Kombëtare, i cili ishte emëruar i Dërguari Special për Serbinë dhe Negociatat e Paqes në Kosovë.

“Të irrituar nga ajo që ai e pa si pengesë nga Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, Ambasadori Grenell me sa duket angazhoi senatorin David Perdue dhe djalin e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump Jr, për të bërë një deklaratë në Twitter duke sugjeruar që SHBA të tërheqë trupat e saj nga Kosovë. Ambasadori Grenell atëherë vazhdoi ta mbante këtë kërcënim, i cili nuk ishte bërë nga asnjë zyrtar amerikan, në negociatat me partnerët e koalicionit të Kurtit, duke bërë që të ngrihej një mocion mosbesimi që rrëzoi Qeverinë Kurti”, është theksuar në studimin e publikuar, i cili është bërë nga disa autorë evropianë, të porositur për nevojat e Komitetit të Politikës së Jashtme të PE (AFET)./21Media