Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, sot do të mbajë tri interpelanca para deputetëve të Kuvendit, për pezullimin njëvjeçar të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare , për përfshirjen e Kosovës në “Zonën e mini-Shengenit ballkanik”, si dhe për qëndrimin e tij për zbatimin e marrëveshjes për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Pak minuta para se të fillojë interpelanca e parë e Hotit, shefi i partisë së tij, Isa Mustafa ka reaguar në llogarinë e tij në Facebook, duke thënë se këto tri interpelanca janë tri mësymje kundër kryeministrit.

Dy, kundër marrëveshjes dhe bashkëpunimit me SHBA-të dhe një, pse është shprehur se duhet të zbatohet Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për respektimin e Ligjit të miratuar me 2/3 e deputetëve, i cili ka krijuar detyrime ndërkombëtare të Kosovës. Ata që e vlerësojnë miqësinë dhe partneritetin me SHBA-të, sot janë me Kryeministrin. Ata që ndajnë bindjen se Kosova duhet tu përmbahet marrëveshjeve ndërkombëtare dhe Ligjit, si dhe partneritetit me BE-në, sot mbështesin sjelljen parimore dhe të përgjegjshme të Kryeministrit dhe Qeverisë Hoti“, ka shkruar Mustafa./21Media