Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka mbajtur konferencë për media ku ka folur për punën që nga koha kur e ka marrë detyrën si ministre.

Ajo ka thënë se pavarësisht që ka pasur kërkesa që të kalohet në orar të plotë të mësimit, ky vit shkollor do të vazhdojë sipas skenarëve paraprake dhe rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Ministrja ka njoftuar se ndër vendimet e para në këtë post është mësimi plotësues.

“Si fillim kemi marrë vendim për mësim plotësues. Na janë përcjellë raportet nga DKA-ja për mësim plotësues dhe kemi marrë vendim që ende ka nevojë për këtë lloj mësimi. Kemi organizuar mësimin alternativ plotësues për nxënësit e Kamenicës. Vendimi është marrë pas vizitave dhe raporteve nga ana e inspektoratit. Është ofruar mbështetje për shoqatën e matematikanëve dhe fizikantëve. Në proces e kemi rishikimin e formulës së financimit të arsimit parauniversitar”, ka thënë ministrja.

Nagavci ka shtuar se janë në pritje 239 raporte që kërkojnë shqyrtim nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë, duke thënë se po merren hapa për Agjencinë e Akreditimit rreth ndarjes së lokacionit, derisa kanë nisur procedurat për rekrutim të stafit.

Tutje, ministrja ka bërë të ditur se ky vit shkollor do të përfundojë më 2 korrik.

Ndërsa provimi i maturës do të mbahet më 26 qershor./21Media