Nagavci mohon ndikimin në shkarkimin e rektorit

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se as ministria e as Qeveria nuk ndërhyjmë në autonominë e UP-së, duke shtuar se me Sahitin kanë pasur bashkëpunim në adresimin e sfidave. Sipas saj, është dëshmuar se në emërimin e ish-sekretarit kishte shkelje ligjore, prandaj  është i rëndësishëm vendimi i Këshillit. Nderkaq konstaton se ushtruesja e detyres se rektores e afert me VV nuk konkuron për rektor te UP-së.
Nagavci tha se gjetjet që i ka adresuar Këshilli Drejtues i UP-së janë në interes të publikut, në mënyrë që sipas saj të adresohen problemet të cilat kanë ekzistuar aty, dhe nevojat për avancimin e cilësisë në arsimin e lartë.
Më tej, Nagavci përmendi edhe anëtarin e Këshillit që po akuzohet për plagjiaturë, Selim Bezerajn, i cili sipas saj, emri i është lakuar pa të drejtë, derisa shtoi se i njëjti ka marrë më së shumti vota nga anëtarët e Këshillit.
Ajo tha se është momenti i fundit që duhet të kujdesen për cilësinë në arsimin e lartë.
“Selim Bezeraj përpara se të jetë anëtar i Këshillit Drejtues është profesor. Shqetësimi për ne duhet të jetë se ai është çdo ditë me studentë, është hipokrizi që për një person që është folur për më shumë se katër vjet, për të cilin nuk është ndërmarrë asgjë, as nga Universiteti e as nga ish-rektori. Në momentin kur janë mbajtur zgjedhjet për anëtarët e Këshillit Drejtues edhe atëherë pa të drejtë u lakua emri im e që u vërtetua se ka qenë gabim sepse nuk kemi ndërhyrë as atëherë. Selim Bezeraj ka marrë më së shumti vota nga senati…3:37 UP ka nevojë sikur edhe shumica e universiteteve të tjera për përmirësime serioze, është momenti i fundit të kujdesemi për cilësinë në arsimin e lartë”, shtoi Nagavci.
Duke folur për shkarkimin e rektorit të UP-së, Nagavci tha se ushtruesja e detyrës së rektores, që u përfol si e afërt me VV-në, nuk do të konkurrojë për pozitën e rektores.
“Ushtruesja e detyrës e ka marrë detyrën për dy javë ditë dhe ka deklaruar se nuk do të kandidojë për pozitën e rektorit dhe e njëjta me aq sa unë jam në njohuri nuk ka ndikim në procedura të mëtutjeshme, sepse do të jetë senati ai që do të shqyrtojë aplikimet e personave për rektor”, tha Nagavci.
Sa i përket zëvendësimit të orëve të humbura gjatë grevës, Nagavci u bëri thirrje sërish prindërve e mësimdhënësve që t’i dërgojnë fëmijët në shkollë. Sipas saj kushdo që pengon fëmijët të shkojnë në shkollë, nuk ju do të mirën atyre.
“Humbjet për fëmijë kanë qenë shumë të mëdha, koha është e mirë, fëmijët kanë bërë më shumë se tre muaj pushim dhe ftoj edhe prindërit, mësimdhënësit, menaxhmentin e shkollës që të mos humbim asnjë orë më shumë për fëmijët. Tashmë janë penalizuar shumë fëmijët dhe kushdo që pengon fëmijët të shkojnë në shkollë, nuk ju do të mirën atyre”, tha Nagavci.
Këto komente ajo i bëri pas vënies së gurthemelit të çerdhes në afërsi të shkollës së Gjelbër në Prishtinë./21Media 

 

Back to top button