Nagavci vizitoi Luginën e Preshevës: Kemi ndarë mjete financiare për të parandaluar shpopullimin

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka vizituar sot Luginën e Preshevës duke potencuar se në kuadër të mbështetjes së Qeverisë për qytetarët e kësaj zone kanë shumë projekte në fushën e arsimit.
Nagavci ka njoftuar se ka vizituar Preshevën dhe me kryetarin e Komisionit parlamentar për arsim, Ardian Gola, këshilltaren e kryeministrit Ardita Sinani, këshilltarin e zëvëndëskryeministrit Fatmir Curri si dhe Kryetarin në Detyrë të KKSH, Ragmi Mustafi kanë zhvilluar vizita në disa institucione edukativo-arsimore e organizata të shoqërisë civile.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar në ofrimin e përkrahjes për realizimin e të drejtave dhe nevojave të qytetarëve në Luginën e Preshevës. Për këtë arsye ka ndarë mjete financiare që kanë synim promovimin e interesave të shqiptarëve në Luginë si dhe parandalimin e shpopullimit të vendit. Në kuadër të mbështetjes së Qeverisë për qytetarët e Luginës së Preshevës shumë projekte të përkrahura janë në fushën e arsimit si: 78 grante për projekte në vlerën totale mbi 1 milionë euro dhe përkrahje financiare me bursë për studentët, ku 107 të rinj e të reja do të përfitojnë bursë vjetore në shumë prej 1.000 euro, në vlerën totale prej 107 mijë euro; për herë të parë vitin e kaluar kemi dërguar libra në gjuhën shqipe për nxënësit e Luginës së Preshevës, në vlerën prej 255 mijë eurove; në muajt qershor dhe tetor, Qeveria ka ndarë gjithsej 85 mijë euro të tjera shtesë për këto libra; bursa për studentë në vlerë 107,000.00 euro; pajisja me libra për parashkollor në vlerë 8,778.00 euro; shkollat sportive në vlerë :(në futboll, basketboll, boks, karate, volejboll, atletikë, etj.) 157,500.00 euro. Si Qeveri e Ministri e Arsimit, Luginës së Preshevës i kushtojmë vëmendje të veçantë. Lugina ka nevojë për më shumë, andaj do vazhdojmë angazhimin që brenda kapaciteteve tona, të bëjmë më shumë për ta”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Back to top button