NASA të martën tha se po punon me aktorin e njohur Tom Cruise për një film në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor, por detajet për aranzhimet janë të pakta.

Lajmi se ylli 57-vjeçar ishte në bisedime me NASA-n për të xhiruar një film aksion-aventurë në stacionin hapësinor u raportua së pari të hënën nga “Deadline”, i cili tha se aktori po punon me SpaceX për projektin, transmeton rtv21.tv.

Administratori i NASA-s, Jim Bridenstine ka bërë të ditur në Twitter që agjensia është “e ngazëllyer për të punuar me Tom Cruise në një film në bordin e stacionit hapësinor. Ne kemi nevojë për media të njohura për të frymëzuar një gjeneratë të re inxhinierësh dhe shkencëtarësh për t’i bërë planet ambicioze të NASA-s “.

NASA nuk e konfirmoi të martën nëse Cruise do të fluturonte vetë në stacionin hapësinor si pjesë e filmit.

SpaceX nuk e ka konfirmuar rolin e tij në projektin e filmit, por Cruise mund të fluturojë në hapësirë në anije kozmike të kompanisë Crew Dragon. Ekuipazhi është krijuar për të transportuar deri në katër persona në orbitën e ulët të Tokës.

NASA vitin e kaluar kishte thënë se do të mundësonte që astronautët privatë të kalonin deri në 30 ditë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor./21Media