NASA thotë se vrima në shtresën e ozonit po zvogëlohet

Vrima në shtresën e ozonit po vazhdon të tkurret, veçanërisht gjatë gjithë këtij viti, njoftoi Administrata Kombëtare e Aeronautikës dhe Hapësirës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – NASA.
“Kjo zonë e varfëruar e shtresës së ozonit mbi Polin e Jugut ishte pak më e vogël se vitin e kaluar dhe në përgjithësi vazhdoi trendin e përgjithshëm të tkurrjes së viteve të fundit”, njoftoi NASA.
Përpjekjet ndërkombëtare janë shtuar për të hequr kërcënimin që vjen nga vrima.
NASA tha se vrima vjetore e ozonit në Antarktidë arriti një sipërfaqe mesatare prej 23.2 milionë kilometra katrorë midis 7 shtatorit dhe 13 tetorit të këtij viti.
“Me kalimin e kohës, po bëhet përparim i qëndrueshëm dhe vrima po bëhet më e vogël”, tha Paul Newman, shkencëtari kryesor për shkencat e Tokës në Qendrën e Fluturimeve Hapësinore Goddard të NASA-s në Greenbelt, Maryland.
“Ne shohim disa lëkundje pasi ndryshimet e motit dhe faktorë të tjerë bëjnë që numrat të lëvizin pak nga dita në ditë dhe nga java në javë. Por në përgjithësi, ne e shohim atë në rënie gjatë dy dekadave të fundit. Eliminimi i substancave që shkatërrojnë ozonin përmes Protokollit të Montrealit po zvogëlon vrimën”, shtoi Newman.
Ozoni është një molekulë natyrore e përbërë nga tre atome oksigjeni që gjenden kryesisht lart mbi Tokë, ku vepron si një mburojë kundër rrezatimit dhe nga rrezet ultravjollcë të Diellit.
Shkaqet e vrimës u trajtuan në mënyrë efektive si rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar të njohur si Protokolli i Montrealit, një marrëveshje e arritur në vitin 1987. Vrima njihet si hollimi i shtresës së ozonit, i zbuluar për herë të parë mbi Antarktidë në vitet 1970, që vazhdoi të përkeqësohej në vitet e 90-ta.
Shkaku i dëmtimit iu atribuua nga shkencëtarët një sërë kimikatesh të krijuara nga njeriu në atmosferë, veçanërisht klorofluorokarburet (CFC), të cilat u përdorën në spërkatje, shkumë, klimatizues dhe frigoriferë./21Media

Back to top button