Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj sot gjatë raportimit të tij në Komisionin parlamentar për Shëndetësi insistoi që familjarët që janë negativë me COVID-19 nuk lejohen të qëndrojnë në klinikat ku trajtohen pacientët me sëmundjen infektuese.

I pyetur nga deputeti i LVV-së, Fitim Uka se a po lejohen familjarët në klinika, ministri Zemaj tha se është çështje tjetër si e kryejnë punën udhëheqësit e klinikave e SHSKUK dhe rojat e sigurisë.

Ndërsa, drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani iu drejtua anëtarëve të komisionit duke iu thënë se ‘po pengohet në kryerjen e punës së tij’.

Ai madje reagoi edhe pas pyetjes së kryesueses së Komisionit, Albena Reshitaj, e cila kërkoi të dijë rreth një versioni të ri të koronavirusit në Angli. E pas kësaj, Ramadani kërkoi nga deputetët që të bëjnë pyetje logjike, sepse sipas tij, ‘durimi ka ardhur në skaj’.