NATO-ja thotë se do t’i ndihmojë Ukrainës për aq kohë sa të ketë nevojë

Aleanca veri-atlantike do t’i ndihmojë Ukrainës të mbrohet në luftën kundër Rusisë “për aq kohë sa të ketë nevojë”.
Kështu tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u zotua të premten.
Ai, po ashtu deklaroi se NATO-ja do t’i ndihmojë vendit të shkatërruar nga lufta t’i transformojë forcat e armatosura në një ushtri moderne sipas standardeve perëndimore.
Stoltenberg në një konferencë për media para takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s, që do të mbahet javën e ardhshme në Rumani kërkoi nga vendet anëtare që, ose individualisht ose në formë grupore, të vazhdojnë t’i ndihmojnë Ukrainës me armë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. NATO-ja, si organizatë, nuk dërgon armatim.
Stoltenberg deklaroi se anëtarët e organizatës 30-kombëshe të sigurisë i kanë ndihmuar Ukrainës me karburante, gjeneratorë, furnizime mjekësore, pajisje për dimër dhe pajisje për bllokimin e dronëve – veçanërisht tani që
Rusia e ka sulmuar infrastrukturën e energjisë në Ukrainë.
“Në takimin tonë në Bukuresht, unë do të bëj kërkesë për edhe më shumë”, tha ai.
“Në periudhën më afatgjate, ne do t’i ndihmojmë Ukrainës të kalojë nga pajisjet e kohës Sovjetike në standardet, doktrinat dhe trajnimet moderne të NATO-s”.

Back to top button