Misioni “Mbështetja e vendosur” kishte për detyrë të trajnonte forcat afgane të sigurisë për të siguruar sigurinë e vendit të tyre pas largimit të trupave të huaja.

NATO njoftoi sot se tërheqja e forcave nga Afganistani ka filluar dhe shtoi se të gjitha masat janë marrë për të siguruar sigurinë e tyre.

“Tërheqja ka filluar. Do të jetë një proces i rregullt, i koordinuar dhe i menduar mirë. Siguria e trupave tona do të jetë përparësia kryesore në çdo hap dhe ne po ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar personelin tonë”, tha një zyrtar i NATO-s në kushte anonime, i cili nuk specifikoi numrin e trupave.

Sipas tij, NATO do të “përgjigjet me forcë” ndaj çdo sulmi të talibanëve gjatë tërheqjes.

Në mes të prillit, NATO vendosi të fillojë tërheqjen e forcave të saj më 1 maj.

Presidenti i SHBA-së, Joseph Biden vlerësoi më herët se misioni në Afganistan ishte përmbushur dhe se tërheqja e ushtarëve amerikanë duhet të përfundonte më 11 shtator, në 20-vjetorin e sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara.

Vendet më të përfshira në misionin në Afganistan janë Shtetet e Bashkuara (2.500 trupa), Gjermania (1.300), Italia (895), Britania e Madhe (750) dhe Turqia (600).

Këto vende kanë vendosur 6.000 nga 9.592 trupa të dislokuara nga 36 vende anëtare dhe partnere të NATO-s.

Misioni “Mbështetja e vendosur” kishte për detyrë të trajnonte forcat afgane të sigurisë në mënyrë që ata të mund të siguronin sigurinë e vendit të tyre pas largimit të trupave të huaja.

Talibanët vazhdojnë të paraqesin një kërcënim, ndërsa kanë shtuar sulmet ndaj policisë dhe ushtrisë në javët e fundit.

Shumë analistë besojnë se tërheqja e forcave të NATO-s mund të provokojë një luftë të re civile në Afganistan ose të lejojë që talibanët, të cilët u dëbuan në fund të vitit 2001, të ktheheshin në pushtet.