Ministrja e Kulturës, Rinis dhe Sportit, Vlora Dumoshi, të martën ka bërë ndarjen e çmimit për vepër jetësore dhe çmimeve vjetore në fushën e muzikës. Ku për vitin 2019 çmimin kombëtar për veprimtari jetësore “Niketë Bajrami”, ia ka ndarë Vinçenc Gjinit, çmimin për vepër vokalo-instrumentale dhe muzikore skenike, Valton Beqirit, çmimi për vepër orkestrale-simfonike dhe koncertante iu nda Kreshnik Aliçkaj. Çmimi për vepër komertale iu nda Drinor Zymberit, çmimi për vepër korale iu nda Hajrullah Syla ndërsa çmimi për veprat solistike dhe duo Mehdi Mengiqi.

Ministrja e MKRS, Vlora Dumoshi, ka thënë çmimet e ndara janë vetëm një vlerësim modest institucional për vlerat e mëdha të cilat i përçojnë veprat e kompozitorëve dhe muzikantëve të Kosovës.

“Jemi mbledhur për të ndarë çmimet e kontributit e vazhdimësisë së punës së shumë kompozitorëve, edhe pse ne si Kosovë si shtet i ri ka pasur një histori në traditë, kështu që tradita po vazhdon….Edhe gjatë luftës edhe pas i kemi mbledh forcat dhe është bërë një punë e shkëlqyeshme ku kompozitorët tonë kanë arritur të fitojnë edhe çmime ndërkombëtare. Çmimet mbase nuk janë shumë të mëdha por është me rëndësi kujdesi që MKRS-ja ia kushton punës dhe kontributit sepse gjithmonë jemi borxh ndaj njerëzve të cilët gjithë jetën e dhënë për komponim, andaj është kënaqësi që sot t’i ndajmë çmimet”, ka thënë Dumoshi.

Ndërsa fitues i çmimit për vepër vokalo-instrumentale dhe muzikore skenike Valton Beqiri, ka thënë se edhe vet prezenca e kompozitorëve të rijnë shpesh herë në numrat e të shpërblyerve dëshmon që çmimi është duke e dhënë rezultatin e vet.

“Ky çmim ka rezultuar me rritjen e numrit të krijimtarisë artistike në Kosovë, duke marr parasysh që e dimë që është çmim stimulues, mendoj që edhe vet prezenca e kompozitorëve të rijnë shpesh herë në numrat e të shpërblyerve dëshmon që çmimi është duke e dhënë rezultatin e vet. Falënderoj MKRS për angazhimin”, ka thënë ai.

Pjesë e jurisë, Baki Jashari, ka thënë se të gjithë fituesit e çmimeve kanë dhënë kontribute të mëdha në fushën e muzikës.