Grupi legjendar i muzikës rok dhe metal, “Troja”, ka konfirmuar ndarjen. Në një shkrim në Facebook, thonë se i erdhi fundi këtij grupi. Po ashtu në këtë shkrim thuhet se raportet mes artistëve nuk janë si më parë dhe “muret e Trojës janë përçarë”.

“I erdh fundi edhe këtij muhabeti… TROJA ka një kohë që nuk ka qenë aktive në skenë edhe pse ka pasur tendenca të paraqitjes me formacione të ndryshme.

Pas gati 30 viteve TROJA e mbyllë kapitullin e saj. Murret e TROJËS janë perçarë. Përkundër që politika është munduar me u identifiku me neve, Troja asnjëherë nuk ka këndu në “ahengje” të organizuara nga ata.

TROJA i ka mbijetu shumë sistemeve që nga para lufta po edhe nga pas lufta, e gjithë kjo duke iu falemnderu juve që na keni dëgju dhe perkrahë. Kurrë, TROJA nuk ka qenë personale vetëm e njërit apo tjetrit anëtar, e as më pak pronë private, por e gjithë juve që na keni motivu për me kriju diçka më ndryshe.

E dimë që disa kanë me u mundu me keqpërdorë emrin TROJA, edhe kengët e TROJËS – dhe ju dëshirojmë fat!

Disa kanë me këndu dhe kanë me u paraqitë si “TROJA,” po ajo është vjedhje e mundit, identitetit dhe ideologjisë të cilin ky bend e ka paraqitur me dekada.

“Por kultura kultivohet – nuk blehet me pare as nuk vjedhet”

Çdo aktivitet që mbahet në emër te grupit TROJA që më parë nuk ështe lajmëruar në faqën zyrtare të saj, është keqpërdorim dhe abuzim i emrit të grupit dhe vlerave artistike te saj, të kultivuara me vite.

Faleminderit të gjithëve që na keni dashtë, shajtë dhe përkrahë, na keni urrejtë, na keni dëgju, por edhe atyre që na ka kanë dëgju fshehurazi.”, thuhet mes tjerash në njoftimin e grupit.

“Mbretnesha Kohë”, “Ameneti i Clownit”, “A e man n’men”, “Vendi im”, “Demokraci”, janë ndër hitet më të mëdha të këtij grupi./21Media