Muzika dhe vallja u ndal në gjysmë kur policia bashkë me Inspektoratin e punës rreth orës 20 bëri kontroll në Restorantin Rojall në fshatin Gllumovë në Komunën e Sarajit. Sipas raportit policor në dasëm kanë marrë pjesë 250 persona. Kundër pronarit është ngritur padi penale për shkelje të protokolleve në kohë të pandemisë.

“Në objekt, pronari B.J 35 vjeç nga fshati Gllumovë, ku është mbajtur dasma, kanë marrë pjesë 250 persona. Nga ana e Inspektoratit të tregut dhe Ministrisë së Brendshme do të ngtitet padi penale, sipas nenit 206, për mosrespektim të vendimeve të Qeverisë në lidhje me Kovid-19 dhe shkeljet kundërvajtëse sipas nenit 6 nga Dekreti i Qeverisë për mos mbajtje të maskave mbrojtëse në fytyrë”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut.

Deputeti tashmë i pensionuar dhe kryetari aktual i Unionit të Romëve, Amdi Bajram nuk hoqi dorë nga dasma e mbesës së tij Pejran. Pas një përpjekjeje për të organizuar një aheng në një restorant në Shuto Orizarë i dështoi në 11 tetor për shkak të ndalimit të organizimit të festave. Ai arriti të organizonte një aheng në një rekord prej 600 të ftuarve në Stamboll të Turqisë dhe të përmbushte dëshirën e mbesës së tij dhe të dashurit të saj, ka deklaruar Bajram për gazetën Fokus.

“Kemi 370 mysafirë nga Maqedonia dhe 230 mysafirë nga Turqia. Unë kam shumë politikanë turq këtu, nga presidenti Erdogan, nga udhëheqja politike, nuk ka asnjë politikan në partinë tonë. Ne jemi duke u argëtuar në një jaht në Bosfor, atmosfera është e mrekullueshme. U organizuam në një kohë të shkurtër me ndihmën e miqve të Erdoganit. Kur të kthehemi, do të ndajmë foto dhe regjistrime të kësaj ngjarjeje të bukur”, tha Amdi Bajram.

Por dje në rrjetet sociale u publikuan edhe video ku kryetari i Komunës Qendër Sasha Bogdanoviq po martohet në Manastirin e Shenjta Shën Mari në Graçanicë, Kosovë. Gruaja e tij punon në shkollën fillore Kiro Gligorov.Nga fotografitë shihen grumbuj njerëzish. Bogdanoviq nuk u përgjigj thirrjeve të TV21 për të dhënë koment se përse është organizuar një organizim i tillë./21Media