Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka marrë sot vendim për ndalimin e përkohshëm të vizitave familjare, vizitave të organizatave joqeveritare dhe vikendeve për të burgosurit, për shkak të rritjes së numrit të rasteve të reja me koronavirus në Kosovë.

Vendimi ka për qëllim të parandalojë përhapjen e pandemisë dhe mbrojtjen e shëndetit të burgosurve dhe stafit në institucionet korrektuese, dhe ai do të fillojë së zbatuari nga data 21 tetor deri në një vendim tjetër.

Si alternativë do të mundësohen telefonatat dhe sistemi i komunikimit virtual Skype sipas procedurave institucionale. Po ashtu, për shkak të ndalimit të përkohshëm të vizitave, pastrimi i rrobave për të burgosurit do të organizohet në institucione, thuhet në njoftim.

Nga ky vendim përjashtohen Institucioni i Avokatit të Popullit dhe mbrojtësit rasteve të gjykimit, të cilat janë në zhvillim.