Mbrëma gjatë një ceremonie të veçantë ku mori pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Ministrja e Arsimit Evis Kushi, Presidenti i UET-it Selami Zhepa dhe sërë intelektualësh, u vlerësua vepra letrare e Petrit Rukës. Po ashtu theksi u vendos te kontributi i tij artistik dhe intelektual në historinë e Shqipërisë.

Poeti Ruka duke marrë titullin falenderoi organiztorët, autoritetet e UET, botuesin e librit “Andej baltë këtej erë”, kryeministrin Edi Rama, ministren e Arsimit Evis Kushi si dhe miqtë e bashkëpunëtorët e tij të jetës.

“Honoris Causa” është titulli akademik që një universitet apo një tjetër institucion që jep tituj, i akordon si mënyrë nderimi dhe mirënjohje për kontributet, një personaliteti apo figure të shquar në një fushë të caktuar.

“Andej baltë, këtej erë”, libri më i fundit i Petrit Rukës, botim i UET Press.

“Veç të tjerash, ky libër ka edhe një peng të rëndë, të ndreqja me të sadopak gabimin që për rrethana të caktuara lashë mësuesinë, një nga punët më fisnike që mund të bëjë njeriu në këtë botë dhe që e kam dashur me gjithë shpirt tërë jetën…”, shprehet poeti.

Tashmë që libri i tij ka parë dritën e botimit, e vetmja gjë që pritet është vlerësimi, siç ka ndodhur me vepra të tjera të autorit, të pritura mjaft mirë nga kritika dhe lexuesi. Sepse veprat e Petrit Rukës janë gurët e çmuar, të rrallë, shumë të rrallë, por të patjetërsueshëm, që nuk iu humbet vlera me kohën, përkundrazi, koha i përjetëson.

“Balada arbëreshe u vu në qendër të këtij libri për të cilin më janë dashur shumë mundime, derisa u binda se nuk kisha ç’bëja më shumë. Shpresoj t’ia kem dalë mbanë, ky do të ishte një gëzim i vërtetë”, shkruan ndër të tjera Ruka në “Andej baltë, këtej erë”. /21Media