Gërmimet për mbetjet mortore në Kizhevak janë ndërprerë për shkak të motit të ligë, Kështu u bë e ditur në një konferencë për media të Komisioni Qeveritar për të pagjeturit.
Kryetarii komisionit, Ramë Manaj bëri të ditur se kur do të rifillojnë punimet.

“Dje janë ndërprerë gërmimet për shkak të kushteve të motit. Këto punime do të vazhdojnë në pranverë posa të krijohen kushtet klimatike. Kemi pasur gërmime në Mitrovicë, Siriganë, në Istog dhe në lokacionin Stanaj në Gjilan”, tha Manaj.

Kurse Drejtori i Insitutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu foli për vështirësitë që kanë kaluar gjatë gërmimeve.

“Në atë lokacion është punuar që 5 vite. E dini se janë pothuajse tri lokacione që i kanë përdorur për ta fshehur krimin: ujërat, minierat, apo të ashtuquajturat varrezat civile. Meqenëse bëhet fjalë për një minierë që me vite të tëra është hedhur gurë dhe mbeturina atëherë kemi pasur vështirësi në gërmime”, tregoi  Gërxhaliiu.

Po ashtu Gërxhaliu bëri të ditur se deri më tani janë tërhequr pesë mbetje mortore të personave.

“Deri në pranverë kur do të fillojnë gërmimet do të dalin rezultatet se kujt i përkasin ato”, tha  Gërxhaliu.

Javën e kaluar kanë vazhduar gërmimet për zhvarrosjen e mbetjeve mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-’99 në Kosovë. Gërmimet në Kizhevak, i cili gjendet në rajonin e Rashkës, kanë nisur në vitin 2015. Por, mbetjet mortore janë identifikuar vetëm muajin e kaluar përmes imazheve fotografike nga ajri, të vitit 1999, të cilat i siguroi Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq përmes Departamentit Amerikan të Shtetit. Nga lufta e fundit, Kosova vazhdon t’i ketë të zhdukur mbi 1 mijë e 600 persona./21Media