Edhe pas 15 minutave pauzë nuk është arritur që të bëhet kuorum dhe të vazhdoj seanca e Kuvendit të Kosovës, ku ishin paraparë dy interpelanca të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti. Seanca është mbyllur deri në njoftimin e radhës nga kryesia e Kuvendit të Kosovës, pasi që në sallë ishin vetëm 45 deputet.

Kështu ka njoftuar nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbëri Nagavci e cila po kryesonte këtë seancë.

“Meqenëse nuk ka kuorum të mjaftueshëm janë vetëm45 deputetë për vazhdimin e kësaj seanca do njoftoheni pas një vendimi nga kryesia”, ka thënë ajo.

Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje i ka 25 deputetë në sallë dhe përgjegjësinë për mos kuorum e ka hedhur tek koalicioni qeverisës.

“Megjithëse kishte një dakordim që pas një pauzë të shkurt të grupet parlamentare të angazhoheshin dhe t’i sillnin deputetë në sallë, ne ende vazhdojmë të mos kemi kuorum, pra i kemi vetëm 45 deputet , mund ta konfirmoj që nga Lëvizja Vetëvendosje jemi 25 disa për arsye objektive dhe shëndetësore nuk mund të jenë këtu . Vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka prezent më shumë se sa i gjithë koalicioni qeverisës, prandaj konsideroj se përgjegjësia këtu bie kryekëput mbi ta dhe është një sjellje jo edhe e aq e përgjegjshme meqenëse duhet të jenë në sallë“, ka thënë Murati.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës , Arben Gashi ka thënë se edhe deputetët e këtij subjekti politik janë në sallë dhe nuk mund të mbaj përgjegjësi për deputetët e grupeve tjera parlamentare.

“Si duket deputetët nuk po e konsiderojnë të rëndësishme atë çka ka në rend dite ne si LDK mbajmë përgjegjësi vetëm për deputetë tanë që janë në sallë, tjerat janë çështje e vullnetit . PDK mesa e di ka deklaruar mungesë për një javë në Kuvend, ndërsa grupet tjera parlamentar nuk kanë deklaruar diçka. Ne jemi këtu kurdo që mendoni me vazhdua seancën nuk garantoj që është e njëjta për Qeverinë sepse kanë planifikuar t’i mbajnë interpelanca tani”, tha Gashi.

E nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbëri Nagavci ka theksuar se pa u bërë kuorumi nuk mund të vazhdoj seanca.

“Pa u konstatuar kuorumi dhe shqyrtuar çështjet të cilat janë paraqitur edhe me kërkesë me shkrim nuk mund të vazhdohet tutje. Janë dy interpelanca në rend dite dhe 12 pika të tjera përfshirë projektligje dhe shqyrtime të raporteve të kërkesave të ndryshme për të vazhduar këtë seancë duhet të ketë 61 vota të supozuara nga koalicioni qeverisës” , ka theksuar ajo.