Premtohet ndërtimi i Teatrit të Operës dhe Baletit

Premtohet ndërtimi i Teatrit të Operës dhe Baletit

Ishte vitit 2006 kur filloi projekti për ndërtimin e objektit të Operës dhe Baletit në Kosovë. Që nga atëherë shumë para u shpenzuan e shumë fjalë u thanë për këtë projekt, i cili tash e sa vite vazhdon të jetë vetëm në letër. Problemi kryesor duket të jetë kostoja, pasi që për ndërtimin e objektit është paraparë një investim prej afër 30 milionë euro.

Të zhgënjyer nga kjo ngecje janë të gjithë drejtuesit e institucioneve kulturore, mirëpo partitë politike po e përdorin ndërtimin e Teatrit për fushatë zgjedhore.

Në debatin zgjedhor “Debat Përnime” që transmetohet në RTV21, përfaqësuesit e partive u përplasën, duke adresuar kritika të ashpra tek njëra tjetra.

Ishte plani qeverisës i LDK-së, ai që hapi debatin në mes përfaqësuesit të kësaj partie, Faton Peci dhe atij të VV, Fisnik Ismaili, shkruan rtv21.tv

Peci tregoi se LDK ka dhënë garanti se do të loboj në kuadër të Kuvendit Komunal të Prishtinës, për t’i bindur asamblistët që ta shpallin aset me interes publik dhe me filluar procedura e investimit të Teatrit të Operës përball atij Kombëtar.

Peci akuzoi VV se ngeci këtë proces, pasi nuk ishin dakord për emërimin e Teatrit “Ibrahim Rugova”.

Ndërkohë, Ismaili kërkoi replikë.

“Ka njerëz këtu shumë të afërt të Shpendit të cilët e dinë të vërtetën më mirë se ju, Shpendi në asnjë moment nuk ka refuzua as nuk e ndalojmë ndërtimin e një objekti me rëndësi kaq të rëndësishëm për shkak të emrit. Por të kthehemi pak më përpara çka ndodhi me projektin që u nisë afër Spitalit tek Kodra e Diellit, çka ndodhi me projektin ku u shpenzuan mbi 1 milionë euro ”, tha Ismaili.

Para se të shpalos programin për qeverisjen e re, Peci prezantoi të arriturat e MKRS-së gjatë qeverisjes së kaluar.

“Ne kemi arritur që gjatë vitit 2017 të rrisim buxhetin për e Ministrisë nga 19 milionë në 33 milionë, apo shndërruar në për qindje, 65 % të buxhetit”, tha Peci.

Sipas tij, LDK synon të vazhdojë investimet në infrastrukturë fizike, në objektet kulturore nëpër komuna dhe Teatrin e Operës dhe Baletit “Ibrahim Rugova”, Muzeu i Arteve Bashkëkohore dhe Muzeu i Historisë së Natyrës.

“Synimi ynë në mandatin e ardhshëm do të jetë anëtarësimi në mekanizma ndërkombëtar, para se gjithash flas për rëndësinë e anëtarësimit në UNESCO”, përfundoi Peci./21Media