Në Premier League, raundi i 12-të i ka lënë shumë shpejt vendin javës së 13-të që do të nisë sot në orën 19:00 me sfidën delikate mes Wolves dhe Chelsea-t, dy skuadrave që nuk morën pikë në javën e fundit pasi u mposhtën minimalisht nga Aston Villa dhe Everton.

Me një sukses sot Blutë e Londrës do të ngjiteshin në kuotën e 25 pikëve, duke barazuar përkohësisht në krye të renditjes Liverpoolin dhe Tottenhamin që do të sfidojnë njëra-tjetrën të mërkurën. Misioni për të marrë maksimumin e pikëve ndaj Wolves së Nuno Espirito Santo nuk do të jetë i lehtë për skuadrën e Lampard që gjithsesi është e avantazhuar.

Në mbrëmje në orën 21:00 do të jetë radha e Manchester City-t që pas barazimit në derbi do të tentojë me të gjitha mënyrat të fitojë sfidën ndaj West Bromwich Albion për të mos humbur më shumë terren me kreun e renditjes.