Sot në një konferencë për media u bënë të ditura ndryshimet në kategorizimin e komunave, të cilat do të vlejnë nga sot (04 dhjetor) deri më (11 dhjetor 2020).

Siç u informua nga ministria e shëndetësisë, në zonën e kuqe me mbi 150 të infektuar brenda javës në 100.000 banorë janë 21 komuna: Prishtina, Fushë -Kosova, Graçanica, Gjakova, Zveqani, Zubin Potoku, Obiliqi, Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Lipjani, Kamenica, Drenasi, Kllokoti, Vitia, Podujeva, Peja, Vushtrria, Shtimja, Ferizaj, Gjilani.

Në zonën e kuqe, kufizimi i lëvizjes është nga ora 19:00-05:00.

Ndërsa, në zonën e verdhë me 70-150 të infektuar brenda javës në 100.000 banorë janë 10 komuna: Suhareka, Shtërpca, Klina, Hani i Elezit, Skënderaj, Istogu, Parteshi, Rahoveci, Prizreni dhe Ranilluga.

Në zonën e verdhë, kufizimi i lëvizjes është nga ora 18:00-05:00.

Ndërkaq, në zonën e gjelbër deri në 70 të infektuar brenda javës në 100. 000 banorë janë 7 komuna: Malisheva, Deçani, Novo-Berda, Kaçaniku, Juniku, Dragashi dhe Mamusha.

Në zonën e gjelbër, kufizimi i lëvizjes është nga ora 20:00-05:00.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj gjatë konferencës për media deklaroi se të gjitha institucionet shëndetësore, bëjnë furnizimin e rregullt me oksigjen.

“Paniku për oksigjen është i pabesueshëm, andaj, qytetarët dhe të gjitha pacientët e spitaleve regjionale, duhet të besojnë se siguria e pacientëve është maksimale, ndryshe, penalizimi është i pashmangshëm.”, u shpreh ministri.

Ai u shpreh se vaksimi i qytetarëve për gripe sezonale është duke vazhduar.

“Ashtu siç e kam premtuam, ia dolëm të sigurojmē 165.000 doza të vaksinës për gripin sezonal dhe shumë shpejt do të blejmë edhe 50 mij sosh. Vaksinat po ipen në secilën qendër të mjekësisë familjave në komunat e Kosovës.”, deklaroi Zemaj, i cili foli edhe për vaksinën anticovid-19.

“Jemi duke mbajtur nivelin e komunikimit zyrtar me partnerët ndërkombëtarë9 GAVI-COVAX) edhe për vaksinën anti Covid-19, ku kemi përkrahjen edhe të OBSH, UNICEF-it dhe institucioneve të tjera që të jemi pjesë e shteteve që e sigurojnë atë. E dini kjo aleancë globale ka listuar Kosovën në mesin e vendeve të cilave do t’u jepet 20% e vaksinës falas, derisa pjesën tjetër do ta blejmë.”, shtoi tutje ministri.

Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë kanë vdekur 11 persona, të cilët kanë qenë të prekur me Covid-19, ndërsa janë regjistruar edhe 478 raste të reja, ndërkaq, janë shëruar 690 persona.

Numri total i rasteve pozitive është 41.777 raste nga 149.743 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.073 raste të vdekjes, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 27.143 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.561./21Media