Anëtarët e Grupit Punuese për hartimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit sot kanë mbajtur takimin e parë me ç‘rast kanë diskutuar për koncept dokumentin për Kompensimin e Viktimave të Krimit i cili është hartuar nga Ministria e Drejtësisë.

Në këtë takim ka marrë pjesë edhe ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, i cili e ka vlerësuar të rëndësishëm fillimin e punës për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

“Jam i bindur se me ligjin e ri do të adresohet mundësia e krijimit të një skeme apo fondi të veçantë për kompensimin e viktimave të krimit, i cili u ofron qasje të menjëhershme në kompensim kategorive të caktuara të viktimave, me theks të veçantë viktimat e dhunës në familje, të miturit, pa pasur nevojë të ketë aktgjykim të formës së prerë. Me ligjin e ri gjithashtu do të rishikohet dhe të parashihet mundësia e rritjes së shumës së kompensimit për disa kategori të caktuara të dëmeve të pësuara”, ka deklaruar ministri Selimi.

Sipas Selimit, do të shikohet edhe mundësia e kompensimit të kategorive të caktuara të viktimave të veprave penale të dhunshme, pa pasur nevojë që ato të dëshmojnë se janë viktima të veprave penale me prioritet siç̧ është në ligjin aktual. Po ashtu edhe afatet duhet zgjatur, në mënyrë që viktimat e veprave penale të dhunshme të mos humbasin afatin për dorëzimin e kërkesës për kompensim.

Në takimin, i cili është drejtuar nga Drejtori i Departamentit Ligjor në Ministrinë e Drejtësisë dhe njëherit kryesues i grupit punues, Ardian Bajraktari, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të institucioneve vendor të drejtësisë, si gjyqtarë, prokurorë, avokatë përfaqësues nga Zyra për mbrojtje dhe ndihmë viktimave, përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikë dhe shoqërisë civile.

Ky proces nga fillimi, është mbështetur nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.